“Jena Na” është një nga bashkëpunimet e Vesa Smolicës dhe Ardit Cunit, që ka rezultuar tepër i suksesshëm në tregun muzikor shqiptar. Rreth një vit më parë, ky projekt muzikor arriti të qëndronte për një kohë të gjatë në klasifikimin e “The Top List”, ku për 4 javë rresht qëndroi në kreun e tij.

Duke lënë pas këtë sukses, Vesa Smolica ka vetëm dy javë që ka publikuar projektin e saj më të ri muzikor i titulluar “Asnjo si une”. Falë sugjerimeve të publikut, kjo këngë është bërë pjesë e klasifikimit zyrtar të “Top Awards”, duke u renditur në vendin e 49-të, gjatë kësaj jave.

Duke i qëndruar besnike zhanrit të saj muzikor “dance hall”, Vesa ka ardhur në super formë fizike në klipin e kësaj kënge. Ndërkohë që ka vetëm pak javë që ka dalë në treg, ende nuk është e qartë nëse kjo këngë do të ketë të njejtin sukses të “Jena Na”.  Se cili do të jetë pozicionimi i “Asnjo si une”, mbetet për t’u parë të dielën në mesditë, në ekranin e Top Channel.