“Ndjehem shumë e emocionuar. Jam gati duke lindur, jam duke sjellë në jetë diçka. Jo vetëm unë, por të gjithë ata që kanë punuar për të sjellë në jetë një spektakël për të gjithë shqiptarët. Sot është diçka e re. Pritshmëritë janë shumë të larta. Uroj vetëm që të na shpërblehet puna që kemi bërë, asgjë më shumë”, u shpreh Lori Hoxha, producente “Top Music Awards”.
“Çdo gjë, nga performanca në zgjedhjen e këngëve, në teknologjinë e përdorur, për herë të parë në Shqipëri kemi SpiderCam. Është një mrekulli”, shprehet Sara Hoxha, producente ekzekutive “Top Music Awards”.
Nata e madhe filloi me interpretimet artistike të shoqëruara nga koreografi të veçanta, në përputhje me stilin e këngës. Verore,të nxehta, të guximshme dhe një hap para. Me një skenografi dhe ndriçim magjik, publiku në skenë shijoi çdo interpretim si për herë të parë.
Një prezantim i lirshëm që bënte protagonistë vetë artistët së bashku me moderatorin Ledion Liço u bashkëshoqërua me dhënien e çmimeve nga të ftuarit specialë.
12 çmimet përkatëse shkuan për:
Kida – Artist to Watch
Alban Skënderaj – TAR Hit of the Year
Era Istrefi – Female Artist of the Year
MC Kresha – Avangard Award
NRG Band – Group of the Year
Ledri Vula & Era Istrefi – Collaboration of the Year
Ledri Vula – My Music Hit of the Year
Alban Skënderaj – Male Artist of the Year
“Bonbon” e Era Istrefit – Song of the Year
“Hitman” e Kapital T – Video of the Year
Noizy – Viewers Choice
Alban Skënderaj – Achievement Award
Mbretëresha e mbrëmjes me plot tre kupa ishte Era Istrefi, që ndezi me BONBOB-in e saj si dhe shijoi suksesin.
“Ky organizim ishte më të vërtetë madhështor”, thekson këngëtarja Era Istrefi.
Por shumë brohoritje nga fansat për muzikën, por dhe stilin e tij të veçantë mori edhe Ledri Vula.
Kjo natë ishte një tjetër hap, por edhe një vizioni që vazhdon. Alban Skënderaj ka historinë e tij të hershme dhe të suksesshme në skenën muzikore të Top Channel, dhe suksesi i tij në këtë natë u konkretizua me tre çmime.
“Është një vizion që nuk duhet ndalur. Një nga shpresat tona të pakta për të bërë gjëra cilësore”, shprehet artisti Alban Skënderaj.
Top Music Awards filloi rrugëtimin për të vijuar me të tjera edicione.
“Ajo që më vjen të them është se jam i lumtur. Besoj se stafi i Top Chanel është stafi më i mirë në botë”, u shpreh moderatori Ledion Liço.