Top Media këtë vit ka zgjedhur të urojë festat me këngën “Beso” të grupit të njohur, West Side Family. “Tradita nuk është adhurimi i hirit, por ruajtja e zjarrit”, ky është mesazhi në fillim të këngës përshëndetëse të fundvitit 2022.
Zjarri i besimit në zemrat e shqiptarëve duhet të vijojë të jetë i ndezur dhe të rritet dita ditës. Kostumet tradicionale dhe flamuri kuq e zi është në çdo moment pjesë e klipit.
Si simbolet e shtetit shqiptar të cilët nuk janë harruar pavarësisht çdo pushtimi, ashtu edhe Top Media ka arritur t’i bëjë ballë çdo stuhie që i ka dalë përpara. Personazhet që ndiqni çdo natë në ekran, por dhe ata që bëjnë punën e palodhur në prapaskenë janë pjesë e këngës përshëndetëse.
Janë kameramanët, montazhierët, teknikët e ndriçimit, punëtorët e skenës, grimierët, garderobistët, koordinatorët, transportuesit apo gazetarët, në një shtëpi të madhe që rritet dita ditës. Kënga e zgjedhur për festat e fundvitit nga Top Channel do mbahet mend gjatë e do dëgjohet me aq dëshirë sa edhe shumë këngë të tjera që Top Channel ka rikthyer çdo fundvit, e kthyer në traditë tashmë.