Luiz Ejlli mbetet një nga emrat më të fuqishëm të muzikës. Pse e themi këtë?

Një nga arsyet është pikërisht arritja e tij në “The Top List” dhe reagimi pozitiv që merr çdo javë nga publiku për këngët e tij. Projekti i tij “Dy fjalë” vijon të korrë një sukses të jashtëzakonshëm në pozicionim.

Artisti ka arritur një tjetër rekord të rëndësishëm në klasifikimin e 100 këngëve më të mira moderne shqiptare në “The Top List”, ku kënga e tij “Dy Fjalë” vazhdon të mbetet pjesë e listës për plot 83 javë radhazi.

“Dy Fjalë”, një baladë emocionale që u publikua vitin e kaluar, u prit menjëherë pozitivisht nga publiku falë tekstit të ndjerë dhe interpretimit karakteristik të Luizit. Kënga arriti të krijojë një lidhje të fortë me dëgjuesit, duke u kthyer në një nga projektet më të suksesshme të repertorit të tij të viteve të fundit.

Nuk është hera e parë që Luiz Ejlli vendos rekorde në klasifikim. Gjatë viteve të fundit, ai ka dominuar vazhdimisht listën me projekte të ndryshme, duke mbajtur shpesh disa këngë njëkohësisht në pozicionet më të larta të renditjes.