I ftuar në një lidhje telefonike në emisionin “Pardon My French” ishte artisti i mirënjohur Shpat Deda. Pas një suksesi të padiskutueshëm të koncertit të tij që u mbajt në skenën e Katedrales Ortodokse në Tiranë, erdhi koha për një mbrëmje tjetër akoma edhe më magjike. ‘Udhëtim në fjalë e tinguj’ këtë radhë do të mbahet në qytetin e Shkodrës dhe këngëtari na ka zbuluar disa detaje mjaft interesante nga ky organizim.

Përse ky koncert vjen këtë herë në Shkodër dhe cilat janë pritshmëritë e tij të radhës?

Idea është që këtë koncert ne e bëmë në muajin maj në Tiranë. Kaluam shumë mirë në skenën e Katedrales Ortodokse dhe pastaj, duke patur një format të tillë të sallave teatrale, dëshira ime është të vazhdoj në sa më shumë qytete në Shqipëri. Ky është plani, por për momentin e patëm rastin ta organizojmë këtë koncert në Shkodër. I jam falënderues Bashkisë së Shkodrës, e cila na u gjend e gatshme për këtë organizim. Dhe mbështetjen që kam gjetur tek Top Albania Radiom të cilën unë e kam patur edhe në koncertin e Tiranës. Jemi bashkë që prej fillimit.

E ftuara speciale e këtij koncerti do të jetë sërish Edona Vatoci. Si vjen ky bashkëpunim midis dy artistëve?

Unë Edonën e kam tashmë si motër të vogël. Jemi shumë të afërt me njëri-tjetrin. Përveç kësaj, unë mendoj që Edona është një prej kantautoreve më interesante, me një karakter shumë të dallueshëm dhe shumë unike. Gjithmonë kam dashur të kem edhe një këngë tjetër me Edonën, por duhet pritur për momentin e vendin e duhur, pasi e vetmja që kemi titullohet “Terr”. Duke patur parasysh që ajo këngë edhe i përshtatet koncertit dhe kemi zgjedhur ta performojmë edhe në koncert.

Duke qenë se ‘Udhëtim në fjalë e tinguj’ u prit mjaft ngohtë nga audienca, si mendon Shpat Deda se do të jetë këtë radhë në Shkodër?

Ajo është dëshira ime, por unë mundohem që të mos kem shumë pritshmëri dhe dua që t’ju dhuroj një mbrëmje sa më të veçantë të gjithë atyre që do të vijnë. Më kanë rënë rastet të performoj disa herë. Salla e teatrit “Migjeni” është shumë e bukur dhe mezi po pres që të futem brenda dhe të performoj në atë skenë, ku kanë qenë më parë edhe shumë artista.

Përsa i përket jetës së tij personale, si pritet të jetë mbyllja e këtij viti për të?

Unë tashmë po bëj disa vite i dashuruar.

E teksa mbetemi tek ndjenja e bukur e dashurisë, Shpat Deda dha një lajm të mirë për publikun duke njoftuar se së shpejti do të publikojë një këngë të re, e cila do të jetë pjesë e Festivalit të Këngës në RTSH. Lidhur me ngjarjet e fundit përsa i përket këtij festivali, ku shumë artistë janë tërhequr nga gara, cili është mendimi i tij?

Jo, unë nuk do të tërhiqem. Kam shumë qejf që ta performoj këtë këngë dhe të dhuroj emocion me këngën time. Normalisht, kjo puna e garës është e çuditshme, pasi shijet në muzikë janë shumë personalem shumë subjektive. Njërit i pëlqen njëra e tjetrit i pëlqen tjetra.