Tayna nuk është mposhtur edhe këtë javë. Projekti i saj më i ri muzikor, “Doruntina”, vazhdon të mbetet në krye të klasifikimit të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, për të dytën javë rresht.
Ajo është shndërruar në reperen më të përfolur të momentit edhe pse ka vetëm pak kohë që ka dalë në tregun muzikor shqiptar. Tayna, emri i vërtetë i të cilës është Doruntina, është pjesë e listës zyrtare të “Top Awards” edhe me tre projekte të tjera muzikore.
Bashkëpunimi i saj me Don Phenom, “Columbiana”, gjendet në listë prej 19 javësh dhe për këtë javë pozicionohet në vendin e 8-të, ndërsa dy projektet e tjera “Shqipe” dhe “Fake” renditen përkatësisht në vendin e 9-të dhe 10-të.
Ndryshe nga java e kaluar, vendi i dytë dhe i tretë nuk është i njëjtë. Bashkëpunimi i Gjikos dhe Skerdit, “Si Bugatti” është ngjitur me dy pozicione nga java e kaluar, duke zënë vendin e dytë. Ky pozicion javës së kaluar i përkiste Hitboyz me këngën e titulluar “Family”.
“Krejt ti fala” është këngë që pozicionohet në vendin e tretë për këtë javë, një bashkëpunim i sjellë nga dyshja e talentuar Majk dhe Yll Limani. Ky projekt muzikor, i cili ka 4 javë në klasifikim, është ngjitur më dy pozicione këtë javë, duke zhvendosur “Lea” në vendin e 5-të.