Duket se këto janë padiskutim ditët e Stresit. Reperi është shndërruar tashmë për disa javë rresht në artistin më të votuar të klasifikimit të “Top Awards”. Kjo është java e 5-të që Stresi nuk njeh konkurrencë, duke mbajtur vendin e parë me “Loco”.
Por fansat e reperit nuk janë mjaftuar me kaq, ata kanë votuar pafund edhe një tjetër projekt muzikor të Stresit, i cili ka arritur të renditet në vendin e dytë me bashkëpunimin, “Two Shots”, me Anxhelo Kocin dhe MKR. Pavarësisht se ka rreth 6 muaj që i është bashkangjitur listës, duket se fansat e Stresit kanë vendosur të risjellin sërish në qendër të vëmendjes “Two Shots”.
Ndërkohë që Stresi mban dy vendet e para, në vendin e tretë është zhvendosur bashkëpunimi i Butrint Imerit dhe Ermal Fejzullahut, “Per nje dashuri”, një projekt muzikor, i cili edhe pse ka më shumë se dy muaj që ka dalë në treg, vazhdon të jetë një ndër këngët më të votuara të listës, duke qëndruar në zonën e nxehtë të listës.
Sa i përket hyrjeve të reja, kjo javë sërish nuk ka sjellë prurje të reja muzikore si pasojë e karantinimit por pavarësisht kësaj, publiku vazhdon të shijojë muzikë në këto ditë të vështira.