I ftuar në studion e “Live From Tirana” ka qenë këngëtari i njohur e shumë i talentuar Stivi Ushe. Ai ka folur më shumë mbi projektin e tij të ri muzikor, “Harruar”, por dhe shumë të pathëna të tjera…

Si erdhi “Harruar”?

Kjo këngë ka tre vite që është shkruar dhe gjithmonë kam pasur dëshirën që ta laçoj, por nuk e di pse nuk po i vinte momenti. Dhe në një moment në studio bashkë më producentin e këngës, vendosëm që ta hidhnim për vitin e ri 2024. Teksti është i ndjerë, flet për një dashuri që ka mbaruar, por nuk është harruar. Ai është një frymëzim momenti, por kur e dëgjoj e gjej veten tek tekstet e mia herë pas here. Jo gjithmonë tekstet i kam personale.

Ky projekt kur është dëgjuar në shtëpinë e “Big Brother VIP”, banorët janë përlotur dhe janë emocionuar shumë. Si e komenton Stivi këtë?

Kisha pasur shumë dëshirë që kënga të dëgjohej aty tek banorët dhe për fat të mirë kënga u dëgjua dhe u përcoll emocioni dhe për këtë gjë më vjen shumë mirë. Ata kanë shumë emocione, shumë ngarkesë psikologjike dhe ndoshta preken me ndonjë fjalë, i kujton një histori ose i kujton një të afërm dhe për këtë gjë më vjen mirë. Që të dëgjohet “Harruar” në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, është privilegj. Po qante Bardhi dhe Romeo (qesh).

A do të doje që të ishe një nga banorët e “Big Brother VIP”?

Dëshira ekziston, patjetër. Si nga ana e karrierës, si nga ana e një eksperience më tepër. Por nuk jam i sigurtë nëse do të futesha këtë edicion apo edicionin tjetër, sepse kam një teori në kokën time… Që të ecësh në atë shtëpi duhet të jesh pak i matur, pak i madh në moshë. Kam vënë re që mosha mbi 35 vjeç, është një moshë e artë, që ka dhënë shumë rezultat të paktën në këto tre edicione VIP. Kjo lloj moshe ka më maturi, ka më eksperiencë, ka një ekselencë kur flet dhe debaton. Dinë se si të luajnë, janë më babaxhanë dhe më të mirë. Në rastin tim, do të kisha një ekspresivitet më të madh, do të kisha emocion dhe vetëkontrollin do ta kisha jo aq të menaxhueshëm kundrejt një banori më të madh në moshë. Por është një eksperiencë që besoj se nuk do t’i thoja ‘jo’.


Po merresh me ndonjë projekt të ri momentalisht?

Unë kam një mal me projekte që po rrinë aty dhe kam qenë në një fazë metamorfoze, sepse kam qenë duke analizuar se çfarë duhet të publikoj dhe si duhet ta kem qasjen e radhës në publik. Besoj se ka ardhur momenti që të nxjerr një këngë shumë shpejt. Kam dëshirë që ta bëj bashkëpunim, akoma janë disa emra në ajër që nuk i dihet, nuk kam diçka konkrete.

Ke dikë për të cilin bën tifo aktualisht?

Nga jashtë njoh vetëm Vesën. Vesa më pëlqen se si ka ecur, është vajzë e drejtë, e matur. Ato 2-3 momente që ka folur, ka folur si duhet. Mendoj që momentalisht, pak më tepër lojën e kontrollon Juli, bashkë me Eglën, Romeon dhe Heidin. Por ditët e fundit më ka pëlqyer shumë loja që po bën Jetmiri. Ka ardhur si ‘sëmundje e butë’. Ai ka qenë fitues i një edicioni dhe mendoj që duke parë situatat në shtëpi po shitet si ‘vlera’, ndërsa të tjerët janë ‘antivlera’. Po luan në këtë mënyrë. Ka hyrë duke ia marrë zemrën disa banorëve. Me pak fjalë po shemb këto dy male, Julin dhe Romeon. Do që të rrëzojë këtë, sepse është krijuar perspektiva se këta të dy janë më të fortët tek publiku, por ai po punon dhe në shtëpi për këtë.

Nëse fansat e tu do të mbanin mend vetëm diçka prej teje, çfarë do të doje ti që të mbanin mend ata?

Do të doja që të mbahesha mend si ai djali që përcjell emocion. Që të thonë: ‘Bëri ç’bëri, këndoi si këndoi, por më emocionoi.’ Kjo do të më pëlqente shumë.

Me cilin artist shqiptar apo të huaj do të doje të bëje një bashkëpunim?

Me të huaj, The Weeknd ose Dua Lipa, por kjo është një ëndërr. Kurse me shqiptarë, pse jo, do të doja të bëja një këngë me Rinën. E kam parë kohët e fundit dhe ka një stil shumë të lezetshëm. Ose meqë qau me këngën time, Bardhin (qesh). Mund t’i përshtatemi stilit të njëri-tjetrit.