I ftuar në episodin e radhës në podcastin “FLET” me Ilnisa Agollin në Top Channel dhe Top Albania Radio ka qenë Stine, një nga kantautorët dhe artistët më të njohur në vendin tonë. Ai ka fituar një vend të veçantë në muzikën shqiptare falë stilit të tij të veçantë dhe këngëve të paharrueshme që ka krijuar gjatë karrierës së tij. Në këtë intervistë ai është rrëfyer si kurrë më parë.
Ku është dallimi midis Nestit dhe Stines? A ndryshojnë nga njëri-tjetri? Ja si iu përgjigj artisti kësaj pyetje…
Stine është në skenë dhe publik ndërsa Nesti është privat.
Ilnisa e pyeti se çfarë mund t’i mungonte Nestit që veshi kostumin e Stines sidomos kur doli për herë të parë në skenë dhe këngëtari u përgjigj duke thënë se:
Nuk i mungonte asgjë, thjesht Stine u shtua si pjesë e asaj që Nesti kishte nevojë që të shfaqte muzikën. Ideja e fatit. Mua më kanë thirrur që të vogël në habitatin ku unë jam rritur, e folura mbrapsht ishte trend.
Kush mendon se dëgjohet më mirë, Stine me këngët e tij apo Nesti kur thotë diçka të vërtetë?
Të dy plotësojnë njëri-tjetrin.
Çfarë mendimi ka Stine për tregun muzikor sot? Çfarë ka humbur muzika shqiptare në harkun kohor e të gjithë këtyre viteve?
Ka humbur pak më shumë tekst. Ka humbur pak më shumë emocion. Ka humbur pak më shumë dashuri për muzikën. Është bërë biznes.
A kemi ne sot një treg muzikor të mirëfilltë sipas tij?
Treg? Po ta quash për biznes, po e kemi tregun por nuk kemi muzikë të mirëfilltë.
Cila është influenca më e keqe që ka zaptuar dhe pushtuar këngët shqip? A kemi një përshtatje apo një model të keq?
Tregu influencohet nga tregu botëror absolutisht, por ne kemi ngecur tek këto zanoret. Fjalët i gjejmë rrugës. Unë flas për veten, nuk flas për të tjerët.
A i këndohet sot dashurisë siç Stine i ka kënduar në vazhdën e të gjithë këtyre viteve?
Ndoshta i këndohet në një mënyrë tjetër. Unë nuk mund ta bëj vetë atë krahasim.
Kush është larguar më shumë, njeri nga fjala apo fjala nga njeriu?
Të dy bashkë janë larguar.
Mos është paraja në mes të fjalës dhe njeriut?
Jo, nuk ka ndjesi. Mungon ndjesia dhe lidhja mes muzikës dhe masës.
Sa i dashuruar ka qenë Stine sa herë i ka kënduar dashurisë dhe ndarjes?
Shumë i dashuruar sepse unë kam vërtetësi aty, çdo fjalë është e sinqertë. Ndjehet dhe tani, kjo mungon sepse ne fantazojmë më shumë se sa përjetojmë.
A është i mërzitur Stine që sot çdo gjë i është kthyer një robotizmi fiktiv?
Nuk jam i mërzitur fare sepse kjo ndodh për një arsye.
Kush e ka frymëzuar Stinen më shumë që t’i këndojë dashurisë, si për shembull tek kënga “Ishe ti”? Kujt ia ka dedikuar ai këtë këngë?
Asaj të dashurës që kisha në atë kohë, sa isha ndarë. Kur e kam shkruajtur në 2005 dhe e kam ekzekutuar në 2006 në “Top Fest 3”. Ka qenë një vajzë që bashkëjetoja në Gjermani. Ajo ishte turko-gjermane. Ishte njeri i mirë, u rritëm bashkë sepse bashkëjetuam gati 3 vjet, ishte shpirt i bukur.
Cila është arsyeja që Stine shpeshherë bën shkëputje në lidhje me publikimet e projekteve muzikore?
Çështja është që ndonjëherë ne duhet të bëjmë edhe dy hapa mbrapa që ta shohësh si publik.
Mendon Stine se e ka prekur kulmin e karrierës nuzikore?
Jo, nuk e kam prekur. Akoma nuk e kam filluar. Nuk kam prekur as çerekun.
Festivalet sot dhe vite më parë. Ku qëndron diferenca mes tyre dhe a ka një urë midis të shkuarës dhe kësaj të tashmes kur i krahason?
Janë dy kohë të ndryshme, atëherë ishte një sitë, artistët mendoheshin më shumë për atë eventin e festivalit. Mundoheshin që t’i sillnin më të mirat sepse vetëm ai ishte. Kurse tani po nxjerrin aq shumë sa që nuk dëgjojmë as të mirat dhe as të këqijat e muzikës.
I mungon kjo kohë Stines?
Sigurisht që po, më mungon.
Si mund të përshtatet një artist në një kohë ku bëhen manipulime në këto festivalet e sotme?
Nuk përshtatesh dot, duhet të bësh kompromis me marrëveshjen ose do tërhiqesh. Nuk ke çfarë bën.
A nënkupton kjo që sot bëhen manipulime?
Absolutisht që po.
Stine merr pjesë ne festivale sepse përfshihet emocionalisht në to apo për të lançuar një këngë të re?
Unë nuk e di nëse do të marr më pjesë në festivale sepse më duhet ta them. Nëse kam marrë pjesë, e kam bërë që të jem brenda në konkurrencë sepse më pëlqen shumë konkurrenca, por që në momentin që merret vesh që gjithçka është parashkruar vetëm konkurrencë që nuk ka aty. Kjo më bën që unë të mos e marr mundimin.
Këto lloj organizimesh që bëhen, vetëm artistët e mirë që nuk mund të promovohen. Promovohen miq dhe prandaj jemi këtu ku jemi. Ky është një favor, një ndër shkaqet.