Episodi i radhës i “A je bre normal” me Meriton Mjekiqin, erdhi me një të ftuar shumë speciale, si Soni Malaj. Në këtë intervistë të veçantë, ajo ka folur më shumë për karrierën e saj, sukseset dhe sfidat e hasura, por jo vetëm…
A ke marrë ndonjëherë ftesë për të qenë pjesë e “Big Brother VIP”?
Po, çdo vit. Edhe në vitin që ke qenë ti kam marrë ftesë. Unë nuk e bëj dot, jam shumë tip i mbyllur, privat, nuk debatoj dot. Aty duhet të krijosh shumë dinamika, diskutime, unë kam një prejardhje nga Tropoja, jam shumë e qetë por jam dhe shumë nevrike. Atë pjesën e mesme jam munduar ta amortizoj këto vitet e fundit. E kam shumë problem nëse do thuheshin gjëra të pavërteta për mua dhe do denigronin figurën time, se normalisht aty është një lojë nervash. Të gjithë banorët duan të kapin atë pikën tënde të dobët.
Si erdhi bashkëpunimi yt me Mc Kresha?
Ka qenë një bashkëpunim që unë dhe Kresha e kemi dashur shumë prej vitesh, 10 ose më tepër vite. Por gjithmonë kemi pritur këngën e duhur. Unë kam menduar gjithmonë që t’i propozoja një këngë ritmike, por nuk ka qenë ajo e duhura. Dhe Fifi, që është autorja e këngës, së bashku me Kledi Bahitin, bënë këtë këngë. Unë isha në makinë, po e dëgjoja, po bëja xhiro konstruktive, se kam një vesh shumë kritik, dhe mendova që kjo këngë duhet të jetë për mua dhe Kreshën. Sa ia kam dërguar, ai ka pranuar dhe tha se kjo është kënga që ne duhet të bëjmë duet.
Pse u desh të kalonin 10 vite për të bërë një këngë së bashku?
Në radhë të parë nuk ka qenë fati për të bërë këngën e duhur. E dyta, unë nuk bëj këngë shumë shpesh, siç bën pjesa tjetër e industrisë, që bën këngë një herë në dy muaj. Unë më rrallë, sepse kam shumë këngë të miat, kam gati 200 këngë si soliste. Dhe nuk e kam gjetur veten tek çdo producent, sepse kam një karakteristikë vokale që jam soul singer, që është shumë e rrallë dhe e vështirë që të kompozosh për mua, që të jetë diçka dhe melodike dhe e kapshme për publikun. Dhe kur erdhi kënga thashë t’ia propozoja Kreshës.
A ka producentë të mirë sot?
Rritja në treg është bërë shumë e madhe për sa i përket pjesës muzikore, duke qenë se ka ndryshuar dhe pjesa e tregut, është digjitalizuar çdo gjë, konsumi është bërë shumë herë më i shpejtë për sa i përket muzikës. Sepse më përpara kanë qenë disqet e kasetat dhe ne duhet të punonim për një kohë të gjatë për të prodhuar ato. Por sot producentët nuk po arrijnë dot hapin e këngëtarëve, sepse këngëtarët po shumohen. Por kur vjen fjala për të bërë një koncert live, në të gjithë industrinë jemi tre veta. Nëse në Shqipëri do bëhen evente të mëdha dhe duhet të dalim në sheshin Skënderbej para 20 mijë vetave live, jam vetëm unë, Aurela Gaçe, Alban Skënderaj. Çdo gjë minimizohet, nga qindra këngëtarë që janë, bie numri.
Cilat janë disa nga problemet më të mëdha që ke pasur gjatë karrierës tënde dhe a je ndierë ndonjëherë e bllokuar?
Unë jam bllokuar për shumë vite rresht, këngët e mia nuk janë transmetuar në televizion, nuk janë transmetuar në radio. Konkurrenca e mendonte kështu… Është një konkurrencë jo e drejtë që iu ndodh disa artistëve, nuk është se jam unë e para. Mua më duket budallallëk sepse ata që janë realisht të talentuar dhe që nuk janë rastësisht në këtë industri, mund t’i bllokosh një vit, dy vite, por gjithmonë do të dalë në sipërfaqe. Por karma të kthehet shumë keq.
Si ka ndryshuar industria e muzikës sot në krahasim me dikur?
E mira është që ka shumë informacion tani, kush do që të punojë gjërat janë shumë më profesionale. Konkurrenca ka shtuar kërkesën e llogarisë tek secili, duke filluar nga imazhi e paraqitjet në skenë. E keqja është që është konsumi i shpejtë. Playback-u vazhdon fuqishëm, nëpër clube edhe kur duam të këndojmë live, nuk është teknika e duhur. Duke qenë se shumica e këngëtarëve këndojnë playback, është një pakicë shuëm e vogël që kërkojnë të dalin live, por pronarët e clubeve thonë që jo sepse rrezikohen të tjerët. Audienca e kupton shumë mirë këtë. Ndoshta edhe këngëtarët duan të dalin live, por nuk janë kushtet, sepse gjëja është shumë e shpejtë.
A do të doje që edhe vajza jote të merrej me muzikë si ti?
Ajo rruga ime me vështirësi, e ardhur nga një qytet i vogël siç është Tropoja, një vend i lënë mënjanë nga pjesa tjetër e Shqipërisë dhe gjithmonë i paragjykuar, është ajo që kohët e vështira bëjnë njerëzit më të fortë. Unë nuk do tía kisha dalë kurrë kësaj industrie nëse nuk do të kisha bërë ato mundime. Vajza ime është 13 vjeçe, është më e talentuar se sa unë në moshën time, qoftë nga ana vokale, qoftë nga kërcimi, se informacioni është shumë herë më i madh. Por fëmijët e sotëm janë shumë të llastuar. Ajo ka qejf dhe ajo çfarë më pëlqen mua është se e ka dhe ajo informacionin, më pëlqen se është shumë e informuar. Por të shohim, nuk besoj se do e fusja në industrinë muzikore në moshë të re, siç kam bërë unë.
Pse mendon se këngëtarët bëjnë më shumë bashkëpunime gjatë verës se sa gjatë dimrit?
Janë më të shpeshta në verë, por më beso se gjatë gjithë vitit janë në kërkim të bashkëpunimeve. Më përpara kanë ndodhur bashkëpunimet për shkak të shoqërisë, ndërsa tani janë gjëra strategjike për të bashkuar dy fan base në një për të funksionuar. Duke qenë se ka shumë këngëtarë dhe industria është bërë shumë e vështirë, ndoshta kjo puna e bashkëpunimeve i sjell vëmendjen e njerëzve tek një këngëtar që ndoshta nuk e kanë pasur në vëmendje.
Si e sheh këtë trendin ku këngët që po bëhen remake nga këngë më të vjetra?
Kjo nuk është gjë e keqe. Ne nuk e kemi pasur më parë në industri këtë gjë. Mbaj mend që shumë producentë kanë dashur të sjellin këngë të tilla në vëmendjen e publikut, por duke qenë se muzika ka qenë ndryshe, ishte shumë e vështirë për ta përshtatur me trendin e momentit. Ndërsa tani mund të sjellësh shumë mirë një këngë që është e 2012, 2010, 2009, se janë më afër sa i përket teknikës muzikore dhe ndoshta dalin më bukur. Padiskutim dhe unë kam dashur disa herë të risjell disa këngë.
Ti ke bashkëpunuar disa herë me reperë, çfarë roli janë duke luajtuar hip-hop artistët në muzikën tonë?
Ne duke pasur një kulturë amerikane, normalisht që pjesa e hip-hopit është shumë e dashur për ne. Më përpara kanë qenë tekstet disi më të pastra, ndërsa sot janë mbi përdorimin e substancave dhe e shoh që dhe në publik janë pak të lodhshme. Më përpara mezi prisnim kur dilnin BabaStars, apo Kaos, ose Skillz, ose PINT. Kur je në pakicë, je diçka më e rrallë dhe je më e dëshirueshme. Cilësia është vetjake, çdo person ka aftësi artistike vetjake. Unë jam pak fanatike e shkollës së vjetër të hip-hopit. Nga të rinjtë sot, që më ka bërë përshtypje është MatoLale, Kidda, më pëlqen shumë se ka një stil shumë të veçantë.
Sa e vështirë ka qenë të mbash identitetin tënd muzikor pa u përshtatur me industrinë?
Përshtatja për të gjithë ndodh, edhe për mua. Edhe unë kam bërë këngë komerciale. Sepse na mërzitet vetja duke bërë vetëm balada, unë nuk mund të dal gjithmonë me balada se bëhet e mërzitshme. Unë vetë ndjek çdo lloj muzike në makinë, që nga tallavaja e deri tek muzika klasike. Çdo gjë që më tingëllon mirë, mua më pëlqen.Edhe unë kam qejf të eksperimentoj në zhanre të ndryshme, por pa humbur sensin.