Suksesi i jashtëzakonshëm i këngëtares Arilena Ara po e shndërron atë në një artistë ndërkombëtare e cila është vlerësuar me disa çmime në Rusi si edhe në vende të tjera të Europës Lindore. Këngëtarja e famshme ka qënë e ftuar në ‘Top Show Magazine’ për të folur më gjatë rreth rrugëtimit të saj me turne muzikore si edhe projekteve të reja ku një ndër to është edhe “Snow in December”.
Kjo prurje në gjuhen angleze është publikuar pak ditë para Krishtlindjes ndërkohë që publiku dhe fansat janë në pritje edhe të një klipi shoqërues. Kënga e Arilenës është pritur mjaft mirë nga publiku duke e bërë pjesë e klasifikimit të 100 këngëve moderne shqiptare. “Snow in December” që në javën e parë të hyrjes në “The Top List” është renditur e 10-ta një pozicion ky mjaft i mirë. Sa i përket këtij projekti por edhe të tjerave, Arilena tregon të gjitha detajet gjatë intervistës. Gjithashtu ajo ka folur edhe për jetën e saj prapa kuintave për të cilën të gjithë shfaqin kuriozitet.
-Krahas kontratës me shtëpinë diskografike në Rusi, cili është hapi i radhës për 2018-ën?
Arilena: Kam sjellë 5 këngë të reja. Besoj se i keni dëgjuar tashmë. Asnjë nuk e priste që unë do të publikoja 5 projekte njëra pas tjetrës një ndër të cilat është edhe “Snow in December”. Të gjitha këto janë pjesë e albumit tim të ri.
-Kujt i dedikohen këngët e tua të fundit ku përfshihen “Snow in December” dhe “Fëmijë”?
Arilena: Kënga ime e fundit është dedikim për një person, indentitetin e të cilit ju nuk do ta merrni vesh kurrë. Projekti “Fëmijë” por edhe të tjera janë krijuar për çdo lloj dashurie. Dashurisë për një baba, fëmijë, motra për vëllanë dhe shumë të tjera.
-Sa e lumtur je për sukseset në karrierën tënde?
Arilena: Nëse nuk do të isha e lumtur nuk do të më kishit parë duke performuar me kaq shumë energji. Unë jam shumë e lumtur me gjithçka. Jam e lumtur edhe për detajin më të vogël të jetës dhe karrierës sime. Nuk më duhet të bie në dashuri, nuk duhet të më ndodhë ndonjë gjë e jashtëzakonshme për të qënë e lumtur. Unë lumturohem me detajet më të vogla dhe për hir të së vërtetës jam në periudhën më të mirë të jetës sime. E frymëzuar dhe me energji pozitive.
-Si është marrdhënia jote me mamanë tashmë që je një 19-vjeçare e pavarur?
Arilena: Mund të jem e pavarur por mamaja ime e vlerëson thjeshtësinë time. Shpeshherë bën komente të tipit: “Ka ndryshuar diçka tek ty, je rritur por qëndro e vogël në shpirt”. Ajo ka pasur gjithmonë besim tek unë dhe sot është shumë krenare për vajzën që ka rritur.
-Pse një këngëtare ka zgjedhur të vazhdojë studimet për shkenca politike?
Arilena: Fillimisht duhet të theksoj se nuk jam një studente e rregullt megjithëse do të dëshiroja shumë të isha. Studimet nuk i kam ndërprerë madje kur jam në shtëpi filloj dhe mësoj. Studioj shkenca politike pasi më pëlqen të bëj diçka tjetër që është diametrikisht e kundërt me muzikën. Dua të jem e ndërtuar në dimensione të ndryshme.
-Vitet ikin shumë shpejt, kur ke pasur kohë të luash dhe të shijosh moshën tënde?
Arilena: Shumë shpesh ma bëjnë këtë pyetje madje një pjesë e mirë e njerëzve habiten nga mosha ime. Gjithmonë u përmend atë shprehjen: “E vogël e vogël ama atë çfarë kam jetuar unë në moshën tënde, ti ke qënë duke luajtur”. Unë e kam humbur atë pjesë të jetës sime. Kuptoj që më merr malli të luaj në momentet kur më gëzojnë gjërat e vogla. Të dielave shpeshherë shoh animacione.