“Kam nevojë”, kënga e cila renditet e para për këtë javë në klasifikimin zyrtar të Top List është bashkëpunimi më i ri i Alban Skënderajt dhe reperit Elinel. Bëhet fjalë për një këngë me tekst frymëzues, si shumë këngë të tjera të Skënderajt, plot muzikalitet dhe me një artist si Elinel, që repon mrekullisht mirë. I kontaktuar nga Top Awards, Albani shprehet shumë i lumtur që fansat e tij dhe publiku i gjerë e vlerësojnë sërish duke e çuar në krye të klasifikimit.

Top Awards: Si u bëtë bashkë, ti dhe Elinel?

Alban Skënderaj: Elinel mbërriti tek unë, pas disa postimeve të fansave të mi të një cover-i që ai i kish bërë një prej këngëve të mia. Aty kuptova që kisha të bëja me një artist mjaft të talentuar, ndaj u kuriozova dhe vendosa të njihesha më mirë me repertorin e tij, i cili ishte mjaft i gjerë e cilësor. Më pëlqyen tekstet dhe tij, klipet dhe në mënyrë të veçantë interpretimi. Aty kuptova që Elinel ishte personi që kërkoja, me energjinë dhe kapacitetin e duhur për projektin që kisha në duar.

TA: E kishe menduar që në fillim që “Kam nevojë” do ta realizoje në një duet? Duetet me repera janë mjaft të suksesshme së fundmi, apo jo?…

AS: Unë bashkëpunimet nuk i bëj kurrë me paramendim, ose më mirë të them, duke menduar bashkimin e dy fuqive për të arritur një sukses më të madh. Bashkëpunimi tek unë vjen, nëse materiali më frymëzon… atëherë mendoj që ta ndaj me dikë, për të mbërritur tek kombinimi ideal artistik dhe jo komercial.

TA: Pse ky tekst? Kujt i drejtohesh me “Kam nevojë”?

AS: Kisha dëshirë të sillja një këngë që përfshin nevojat e çdo njeriu që i dedikohet pjesës shpirtërore në jetë, atij që e bën gjithçka me shpirt. Kjo këngë është për ata që kanë nevojë për frymëzim, për atë çka i bën të lumtur. Dëshira për të rikthyer vlerat e humbura, ato që mund të duken të mirëqëna dhe të papërfillshme në plan të parë, në realitet, janë çelësi i lumturisë sonë.

TA: Pyetja që bëhet gjithnjë në fund, por që të gjithë mezi presin… Kur do vijë projekti i rradhës?

AS: Do të vijë shumë shpejt. Është një material me shumë energji, me ritëm dhe mjaft veror, por gjithashtu dhe shumë social dhe kurajo-dhënës, në tekst dhe në mesazh.