E ftuar në emisionin “Lancio” në Top Albania Radio ka qenë këngëtarja e njohur Evi Reçi. Edhe pse ajo nuk është shumë aktive me projekte të reja muzikore, gjatë intervistës është hedhur një vështrim rreth karrierës së saj të suksesshme dhe sa i afërt do të jetë një rikthim i fuqishëm në industri. Gjithashtu, artistja ka folur edhe rreth marrëdhënies së saj të fundit me Kledi Hysën, ku na ka treguar disa detaje speciale nga marrëdhënia e tyre.

E pyetur nga Albana Ruçi rreth projektit të saj më të suksesshëm “Dhe jemi të dy”, i cili vazhdon të mbetet në memorien e çdokujt edhe pas 13 vitesh, Evi u shpreh:

Kam qenë 19 vjeç kur ka dalë kënga që sapo këndove. Njerëzit ende vazhdojnë e këndojnë. Është refreni i jetës sime dhe refreni i shumë çifteve. Shumë çifte më kanë thënë ‘Evi, jemi ndarë, jemi pajtuar, kemi pasur lidhje në distancë’. Sa shumë çifte më kanë shkruar në atë kohë. Dhe atëherë nuk ka qenë YouTube ose Instagram siç është sot. Nuk kemi pasur. YouTube sapo kishte filluar në 2009 dhe nuk arrije të kuptoje suksesin e këngës. Sot mund ta them me gojën plot që ajo këngë ka qenë shumë e suksesshme atëherë, por edhe sot.

Edhe pse ka pasur ndryshime mjaft rrënjësore në industri përsa i përket krijimit të rrymave të reja muzikore, dëgjuesit vazhdojnë t’i mbeten besnik krijmtarive të artistes në atë kohë. Sigurisht, nuk mund të lëmë pa përmendur as bashkëpunimin e suksesshëm që ajo ka patur me Flori Mumajesin, titulluar “I ngjan asaj”.

Këto të dyja dalin gjithmonë si të parat. Ka shumë njerëz që preferojnë edhe shumë të tjera, por ashtu më njohu publiku. Kanë qenë tematika të çuditshme, sepse askush nuk ka kënduar një këngë ‘I ngjan asaj’, pra një personi që unë kam dashur. Atë e thotë kënga. Është një temarikë shumë e veçantë.

Rikujtojmë se në momentin më kulminant të karrierës së saj, ajo hoqi dorë nga muzika për të vazhduar studimet. Si ndihet ajo tani për këtë vendim të rëndësishëm që ka marrë në atë periudhë?

Sigurisht, në atë kohë kur merren vendimet, ato mendohen si më të mirat. Nuk jam penduar. Absolutisht jam shumë e lumtur që vazhdova universitetin në atë kohë që sapo plasi boom-i i këngës. Muzika ime u dëgjua shumë. Ju dedikova shkollës dhe kam bërë mirë, sepse vjen një moshë që nuk ke më nerva për shkollë. Domethënë të më thuash për shkollë sot që ta bëj edhe njëherë universitetin, do ta mendoja dhe nuk do ta bëja. Kështu që më mirë që e bëra në atë kohë. Ka pasur efektet anësore kjo situatë, sepse unë isha në një shtet tjetër (Itali) dhe kur mungon fizikisht është e vështirë të mbash gjallë tregun tënd sado që unë isha goxha prezente, por prapë është ndryshe të jesh larg. Kështu që më pengoi në disa gjëra. Më dha shumë.

A ja vlejti kjo zgjedhje e saj? Do të dëshironte që të ndryshonte vendimin nëse do të kthehej sërish pas në kohë?

Po, ja vlejti pa dyshim. Nuk do ta ndryshoja rrjedhën e gjësë.