Top Albania Radio ka zhvilluar dje një mbrëmje gala në nder të 25 viteve të krijimit të saj dhe sloganin e “25 viteve kujtime” (25 Years, Creating Memories) pa kurrëfarë nostalgjie për të shkuarën, por me shijen e mirë të saj, kjo radio rend drejt 25 viteve të ardhshëm, sido qofshin ata, të lehtë apo të mundimshëm, të artë apo të zymtë, pa ju trembur asgjëje, sepse diçka e krijuar me dashuri, që mbahet gjallë nga dashuria, frymon prej saj çdo ditë, është e sigurt në triumfin e pashmangshëm e të përjetshëm.

Në këtë mbrëmje gala mjaft të veçantë për radion më të dashur dhe më të pëlqyer nga të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve, pjesëmarrës janë të gjithë ata që kanë punuar për të, kanë dhënë një kontribut të madh dhe gjithmonë kanë qenë të palodhur. Yje nga bota e madhe e televizionit, të famshëm, artistë, këngëtarë, moderatorë, prezantues, aktorë dhe figura të tjera publike mjaft të njohura ishin në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor për të festuar 25-vjetorin e radios më unike.