Kjo fundjavë ka ardhur fuqishëm sa i përket projekteve të reja muzikore. Duket se pas një pauze të shkurtër, shumica e artistëve kanë vendosur të sjellin prurjet e tyre të reja, duke lënë pas hitet që na shoqëruan këtë verë.
Projekti i parë që u publikua gjatë javës së kaluar, ishte bashkëpunimi i Butrint Imerit dhe Elinel. Dy këngëtarët vendosën të bashkonin fuqitë, duke sjellë këngën me titull “Papa”.
Duket se dyshja, Ardian Bujupi dhe Dalool, kanë fituar zemrat e publikut. Pas suksesit që korrën me “Ne Jena Njo”, ata u rikthyen me një tjetër projekt të titulluar “E embel”. E publikuar ditën e premte, deri tani kjo këngë ka rezultuar tepër e pëlqyer për publikun.
Samanta, pas suksesit me “Na e dina” në bashkëpunim me Gent Fatalin, e cila vazhdon ende të jetë pjesë e “The Top List”, vendosi që kësaj radhe të vijë “solo”. “Si Ai” është projekti më i ri i këngëtares, i publikuar ditën e shtunë.
Ndërkohë surprizë ishte edhe kënga më e re e Ledri Vulës. Reperi i dashur i publikut shqiptar, ka surprizuar fansat duke publikuar ditën e dielë, “A jena mirë”. Edhe pse nuk i kishte paralajmëruar ndjekësit e tij për këtë prurje të re, ata janë dashuruar menjëherë më këngën e artistit të tyre të preferuar.
Por pas këtyre prurjeve të reja, dita e hënë u pasua me një tjetër bashkëpunim të fuqishëm. Elvana Gjata erdhi me “Lejla”, një bashkëpunim me Capital T dhe 2PO2. Artisja “ka rrezikuar jetën”, siç vetë ajo ka deklaruar në llogarinë e saj të Instagramit, për të bërë këtë video, e cila promovon ngjyrën e kartmonedhës 500 Euroshe.
Po kush prej këtyre këngëve do ia dalë? Konkurreca mes artistëve sa vjen e rritet. Cila prej këngëve më të reja do të jetë pjesë e “The Top List”. Ju mund të sugjeroni këngën tuaj të preferuar në topawards.top-channel.tv, në mënyrë që të jetë pjesë e klasifikimit për javën e ardhshme.