Arena “Wiener Stadthalle” 1në Vjenë është shndërruar në një spektakël ngjyrash dhe emocionesh me hapjen e edicionit të 70-të të “Eurovision Song Contest”, që mblodhi mijëra njerëz nga e gjithë Europa.

Me moton “Të Bashkuar nga Muzika” 35 shtete po garojnë për kurorën e kontinentit, në një vit që sjell rregulla të reja dhe emocione të forta. Plot 11 vjet pas organizimit të fundit, Austria është sërish mikpritëse e eventit më të madh muzikor evropian, pas fitores së këngëtarit JJ në vitin 2025. Shqipëria përfaqësohet këtë vit nga këngëtari Alis me këngën “Nan”, e cila mbart një mesazh të fuqishëm dhe universal mbi figurën e nënës në familjen shqiptare.

Performanca e tij në skenë është cilësuar si një ndërthurje e thjeshtësisë së tekstit me një motiv muzikor të thellë, gjë që ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare, përfshirë gjigantin BBC. Këtë vit, Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) ka forcuar rregullat e votimit në përgjigje të akuzave për manipulime në të kaluarën.

Numri maksimal i votave për person është përgjysmuar në 10, duke shtrënguar masat kundër aktiviteteve të dyshimta. Për të çuar Shqipërinë në finalen e madhe, mbështetja e diasporës është thelbësore. Shqipëria synon kualifikimin në finalen e madhe të së shtunës, në një garë që mbledh artistë nga e gjithë Europa dhe më gjerë.