E ftuar në emisionin “Pardon My French” me Jonida Aliçkollin dhe Arbër Çepanin ka qenë këngëtarja dhe moderatorja e njohur, Evi Reçi. Ajo ka zbuluar më shumë detaje nga jeta e saj dhe mëmësia një eksperiencë e re për të.
Evi Reçi dhe partneri i saj Kledi Hysa janë bërë prindër për herë të parë pak javë më parë më 13 Shtator. Ata kanë vendosur që djalin e tyre ta quajnë Aster. Pse vendosën që djalin e tyre ta quajnë kështu dhe çfarë veçantie fshihet pas këtij emri?!
Emrin e kam zgjedhur unë, sigurisht edhe me aprovimin e plotë të Kledit. Unë desha një emër në fakt që ka një kuptim por që nuk është emër. Duke pasur shumë ndikim nga kultura greke sepse jam rritur aty fjala Asteri do të thotë yll por nuk është emër në Greqi. Aster është yll dhe në anglisht më pas del A star. Më pas pashë që ishte edhe një lule që çelte në shtator dhe duke qenë se e prisnim Asterin në shtator unë thashë okej paska një kuptim të dyfishtë.
Pse vendosi Evi që procesin e lindjes ta bënte në Austri dhe pse muajt e saj të shtatzënisë ajo i kaloi në Shqipëri. Në lidhje me këtë ndryshim dhe pse e mori këtë vendim këngëtarja tregoi se:
Në Shqipëri kam pasur një shtatëzani shumë aktive. Uroj që çdo grua që është shtatzanë ta kalojë kështu sepse kur je shtatzanë nuk je sëmurë. Mund të kesh komplikime patjetër por kur je mirë është okej të jesh aktive dhe unë të gjitha kontrollet i kam kryer në Shqipëri më pas dy muaj rreth fundit që u spostova në Austri ishte për shkak të komoditetit që mu ofrua këtej. Jo se në Shqipëri nuk do e kisha por kishte një protokoll pak më ndryshe. Shteti austriak më pas vendoste edhe një mami krejtësisht falas për të ardhur në shtëpi dhe mua një deri dy herë në javë më vjen një grua e cila kontrollon fëmijën. Patjetër edhe lindja që unë kalova, ditën që unë do lindja ishte pak e vështirë sepse doja të bëja një lindje natyrale por nuk ndodhi ashtu. Gjithçka ishte nën kujdesin perfekt. Edhe për faktin praktik që Kledi është me letrat austriake.
Po si po ndihet ajo tani që ka marrë statusin e ri dhe si ka qenë kjo periudhë për të pas lindjes?
Është hera e parë që flas sepse vërtetë nuk kam pasur shumë kohë dhe nerva pasi ditët e para dihet që janë pak të vështira pas spitalit mu desh që disa ditë të qëndroja në shtëpi për të kuptuar si funksionon dhe çfarë ndodh. Netët pa gjumë, sfidat me veten sepse gjithmonë mendojmë që fëmija është në vend të parë por harrojmë që edhe ne jemi në një provë. Shpeshherë kam qarë, jam nevrikosur, jam lumturuar por ato ditët e para janë vërtetë kështu me emocione që lëkunden shumë thjeshtë dhe ti nuk di nga t’ia nisësh. Por jemi mirë.
Ajo zbuloi gjithashtu se edhe Kledi po e ndihmon goxha gjatë kësaj periudhe dhe është mjaft i dedikuar. Ndër të tjera Evi zbuloi se partneri i saj nuk ka dashur ta zbulojë gjininë e bebit por ajo ka qenë e paduruar dhe donte që ta dinte menjëherë.
Ndër të tjera theksoi se:
Askush nuk ka lindur me një manual prindërimi, do gabojmë dhe do mësojmë.