E ftuar në studion e “Wake Up” ka qenë artistja e njohur, Loré. Ajo ka publikuar këngën e saj më të re që mban titullin “Të du”, që e ka sjellë atë në një frymë më të veçantë, një metamorfozë siç e quan dhe ajo. Loré na ka folur më shumë për këtë projekt dhe për hapat e saj të radhës…
Si lindi “Të du”?
Nuk është vetëm kjo këngë, është një cikël i tërë, një kapitull i ri. “Të du” është kënga e dytë. Është për të lënë pas një version të vjetër dhe për të rilindur si artiste. Është një dedikim ndaj vetes. Që në gjenezë kemi menduar të bëjmë një metamorforzë artistike, këngët të ishin të lidhura me njëra-tjetrën edhe shpirtërisht. “Të du” ka ardhur e pa ndikuar nga ndonjë gjë fikse, ishte emocion natyral e spontan.
Si ia bën që të mos ndikohesh nga komercializmi në projektet e tua?
E bukura është që na vjen natyrshëm ideja e të mos u ndikuarit nga çfarë është në trend. Vjen së brendshmi, është e paplanifikuar. Jo se nuk jemi të hapur ndaj komercit, por është e rëndësishme që të zë vend në treg kështu siç jam, me këtë autenticitetin tim. Është maja e shpërblimit, kjo dhe kur njerëzit e gjejnë veten tek muazika ime. Është thelbësore për mua që të zë vendin tim në treg, që të dallohem.
Pse zgjodhe që klipin ta bëje bardhezi?
Që kur u shkrua kënga është vizualizuar bardhezi. Vetë ngjyrat e këngës janë gri, sjell melankoli, pak trishtim, të bërit një dialog me veten tënde të brendshme. Plus është dhe ajo metamorfoza, transformimi për të ardhur tek diçka e re.
Çfarë komentesh ke marrë nga njerëzit që e kanë dëgjuar këngën?
Kam dëgjuar njerëz se sa e gjejnë veten tek këngëa. Djemtë çuditërisht, më kanë shkruar për tekstin, se sa i ka prekur. Edhe daljet televizive kanë ndihmuar shumë, jam lidhur me njerëzit.
Cili do të jetë hapi i radhës?
Në mbyllje të këtij cikli gri, do bëhemi shumë ekzotikë. Kam shumë materiale latine dhe eksperimentale që askush nuk më ka dëgjuar më parë. Dhe në mbyllje të këtij cikli do të doja të bëja një koncert recital.