Anxhelo Koçi dhe Egli Tako kanë sjellë vetëm disa ditë më parë bashkëpunimin e tyre “Nëse t’kujtohem”, që po korr mjaft sukses dhe ka hyrë në klasifikimin e “The Top List” këtë javë. Anxhelo ka qenë mëngjesin e sotëm në studion e “Wake Up” për të na folur më shumë për këtë këngë, por dhe për projektet e tij të ardhshme…

Si po ecën kënga, çfarë impakti ke marrë?

Bashkëpunimi ka ecur shumë mirë. Mori një vrull të madh ato ditët e para, nuk ma priste mendje sepse duke qenë se nuk ka shumë prodhimtari, nuk ka as shumë dëgjues. Ka dalë një projekt i suksesshëm, uroj të ecë akoma dhe më shumë. Njerëzit e kanë pëlqyer.

Kujt i lindi ideja për një bashkëpunim?

Egli më ka telefonuar pas “Big Brother” për t’i bërë një këngë, një kompozim dhe aty i lindi ideja e një bashkëpunimi. E pranova me kënaqësi. Nuk humba kohë, direkt në studio, bëmë tekstin, melodinë. Dhe ja ku doli kënga. Kemi një kimi të paparë me Eglin. E respektojmë shumë njëri-tjetrin. Kështu doli dhe kënga.

Mund të ketë një tjetër bashkëpunim mes jush?

Mendoj se po. Duke parë edhe këngën që na doli kaq e suksesshme, besoj se do të kemi dhe një këngë tjetër. Por pas dhjetorit, të kalojë dhe ky vit.

Sa e vështirë ishte të xhiroje klipin për “Nëse t’kujtohem”?

Për mua si djalë nuk është shumë e vështirë, se ne bëjmë atë make up dhe fillojmë skenat, nuk është shumë e vështirë të xhirojmë. Për artistet femra do pak më shumë punë. Kemi nisur në 10 të darkës, sepse pritëm njerëzit që ishin në rrugë, dhe kemi mbaruar në 6 të mëngjesit. E kemi mbaruar brenda natës. Unë disa skena i kisha bërë një ditë para, tek një stacion autobusi.

Ti i shkruan vetë tekstet e tua?

Në përgjithësi unë i shkruaj vetë. Në fillimet e karrierës sime kisha ndihmë nga miq të mitë dhe tekstshkrues shumë të mirë, si Endrit Mumajesi dhe Petro Xhori, por tani i shkruaj vetë. Në këtë këngë ka qenë dhe Egli bashkëpunuese, sidomos në strofën e saj.

Çfarë të shtyn ty të gjesh frymëzimin, tani që jemi edhe në një kohë konsumizmi?

Patjetër që është bërë e vështirë që të bësh diçka që ta pëlqejnë njerëzit. Më është dashur shumë këto dy vite që të rimarr veten dhe të filloj në një nivel tjetër të muzikës, sepse muzika po bëhet e shpejtë. Jam dëgjues i mirë në Spotify, frymëzohem nga këngë dhe marr ide. Jam praktikuar, në studio e kuptoj kur është vibe i bukur dhe duhet ta bëj si këngë.

A ke një muzë frymëzimi?

Për mua është e lehtë sepse nuk bazohem vetëm tek vetja, marr dhe histori të ndryshme të të tjerëve.

Ka diçka që ende nuk e kë bërë dhe do ta bësh në të ardhmen?

Ajo që unë nuk kam bërë është një album, edhe pas gjithë këtyre viteve karrierë, për arsye se dua që të bëj diçka të bukur dhe ta zgjedh atë që do bëj. Mendoj për një mini album, një EP, deri nga dhjetori, shpresoj t’ia dal. Do të ketë edhe bashkëpunime, emrat nuk po i them.