Të ripunosh një këngë të vjetër e ta sjellësh atë sërish ditët e sotme, nuk është diçka e re në tregun muzikor. Përkundrazi, duket se këto dy vitet e fundit kjo është kthyer tanimë në një trend.
Si në tregun e huaj, ashtu edhe në atë shqiptar, artistët sa vijnë dhe po e përqafojnë këtë gjë në projektet e tyre. E këtij tundimi, nuk u kanë shpëtuar as Sardi dhe Arnon.
Kjo dyshe që gjithmonë na ka surprizuar me krijimet e tyre, ia dolën që ta bënin sërish edhe këtë herë. Artistët kanë bashkuar forcat për të sjellë “Me pas mujt”, projekt që ka hyrë këtë javë në klasifikimin e “The Top List”.
Kjo këngë është një ripunim i “Kur u ndamë”, bashkëpunimit të Gilit dhe Enis Patokut, që nuk besojmë se ka dikush që nuk e njeh apo nuk e ka kënduar ndonjëherë me zë të lartë në makinë. Dhe ja ku jemi sot, me një projekt të ri nga Sardi dhe Arnon që përveç se na dhanë mjaft nostalgji, sollën dhe një ritëm fantastik që do na shoqërojë gjithë verën.