Rinesancë i bashkohet klasifikimit të javës jo me një, por me dy projekte. Bëhet fjalë për badhkëpunimim me Buta në “Ekselencë” si dhe projektin solo, “3 Masterkarta”.

Me këngën “3 Masterkarta”, Rinesancë vjen me një projekt që shkon përtej ritmit dhe melodisë, duke ndërtuar një narrativë të fortë rreth jetës, ambicies dhe zgjedhjeve që formësojnë rrugëtimin personal. Jo vetëm titulli, por dhe refreni tregon shumë, të mos kesh master, por tre masterkarta.

Rinesancë nuk përpiqet të mbushë boshllëqe me teprime. Përkundrazi, çdo varg duket i menduar për të goditur drejtpërdrejt realitetin.

Ajo që e bën “3 Masterkarta” të veçantë është mënyra se si Rinesancë e portretizon suksesin, jo si diçka të lehtë apo të garantuar, por si rezultat i lëvizjeve të zgjuara dhe vendimeve të guximshme. “3 Masterkarta” është një tjetër dëshmi se Rinesancë ka ndërtuar hap pas hapi një profil artistik autentik në skenën muzikore, duke e kthyer përvojën personale në art.