Renis Gjokën mund t’a kujtojmë me daljet e tij të para në Top Fest si pjesë e grupit Burn me këngën “Një hap përpara”. Kënga bëri goxha bujë në atë kohë dhe u pëlqye shumë nga publiku. Ajo që bëri përshtypje në fillim ishte zëri i tij karakteristik prej ‘rockeri’.
Renisi ka ditur të bëjë gjithmonë zgjedhjet e duhura në muzikë, tekst, videoklip dhe kjo është arsyeja që ai dallon nga shumë këngëtarë të tjerë. Thënë kjo, Renisi dhe Big Basta janë bërë sërish bashkë duke rikthyer edhe njëherë hitin “Një hap përpara”.
Një ditë përpara protestës së thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, ky i fundit publikoi një këngë që thuhet se është dedikuar për të. Kënga e sapopublikuar nga artistët Renis Gjoka dhe Big Basta me titullin “Një hap përpara (Rikthimi)”, është e ripunuar pasi vite më parë, këta artistë kanë publikuar një këngë me të njëjtin emër.
Në tekstin e këngës, ata kanë përfshirë situatën në të cilën ndodhet Shqipëria, që nga varfëria e deri tek skandalet ku janë përfshirë edhe qeveritarët. PD-ja e ka cilësuar këngën e tyre si “himnin e protestës”.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Renis Gjoka thotë se protesta e datës 7 korrik i zgjoi dëshirën për të thënë fjalën e tij. Sipas Gjokës, kjo është një formë ftese për të gjithë të heshturit që të ngrenë zërin.
Zgjohu, shiko… Protesta e datës 7 korrik, më zgjoi dëshirën të them dhe unë fjalën time. Bashkë me Big Basta, vendosëm të rikthejmë një këngë tonën. Vendosëm të protestojmë në mënyrën tonë, të ftojmë të heshturit të bëhemi një zë. Jua them me shpirt që është koha që të tregojmë që nuk vazhdohet më kështu. Love for all. God is great.