I ftuar mëngjesin e sotëm në studion e “Wake Up”, ka qenë artisti i talentuar Franc Koruni. Së fundmi ai ka publikuar projektin “Amore je ti”, që vjen në bashkëpunim me Mariza Ikonomin dhe që ka tërhequr menjëherë vëmendjen. Për këtë këngë, por dhe si e sheh ai muzikën sot, na ka folur vetë Franci…
Projekti duket sikur sjell pasiguritë e jetës dashurore. Çfarë mund të thuash për fabulën e këngës?
Atë muzë ka kënga. Përpiqet të çdramatizojë pak situatën konfliktuale që mund të ketë një ndjenjë dashurie. Tregon si njerëzit ta marrin me sportivitet. Më pëlqen si ka dalë soundi dhe puna në studio. Mariza i ka dhënë një prekje shumë joshëse këngës. Ishte një ndër këngët më me muzë që kishte albumi i fundit.
Unë kam menduar pak si mashkull, nuk kam paur një frymëzim fiks. Sigurisht ka vegime, momente, impulse që kam pasur në përgjithësi nga marrëdhënia me një grua, pastaj janë bërë bashkë. Ia lejonte vetes kënga për këtë titull se ka dhe ironi brenda.
Kënga është punuar dy vite më parë, por vetëm tani është publikuar me klip. Pse kjo zgjedhje?
Disa nga këngët e albumit kanë ndejtur pak si në hije. Kjo ka qenë ndër më të bukurat dhe duhet të kishte klipin e vet. U rindez me pasion. Unë kisha pak kohë pa dalë me material dhe erdhi momenti të rishfaqem.
Si i sheh ndryshimet që kanë ndodhur sot në tregun muzikor?
Është kjo kohë që është dhe duhet t’i përshtatetmi. Gjërat janë shumë të shpejta. Është e vështirë të tërhiqet vëmendja, por jo detyrimisht duhet tërhequr vëmendja. Besoj që të gjithë ata që merren me krijimtari të mirëfilltë, duhet të lënë një hapësirë brenda vetes për vepra që jo detyrimisht kanë nevojë për vëmendjen e publikut. Kjo është për të shpëtuar artistin brenda vetes.
Muzika ka një të mirë të keqe, të argëton shumë. Mundësia për të shfrytëzuar muzikën për të argëtuar, e bën në mënyrë të thjesht. Është e lehtë të bësh muzikë që të argëtosh. Pjesa tjetër që fokusin e kanë tek teksti, e kanë të mundur të përcjellin një mesazh. Sot ti ke fenomenin AI që mund të gjenerosh çdo lloj kënge. Por mungon frymëzimi. Origjinaliteti rreh vetëm në zemrën tënde. Edhe nëse nuk i bën këngët me AI por duke dëgjuar se çfarë bëhet vërdallë, për mua nuk ka asnjë lloj diference.
Si e priti Mariza këtë bashkëpunim?
E pëlqeu. Më kanë thënë pse Mariza është aq pak në këngë, nga fundi. E tillë ishte kënga. Nuk është një duet i mirëfilltë, është si projekt filmik.
Na fol pak më shumë për klipin…
Një çift që ndan një natë në ëndrrën e këtij djaloshi. Gjithë ajo zallamahi ngjyrash, ishte pjesë e një ëndrre. Dikush duhet të zgjohej se ishte shumë intensive. Duhej një klip që të dukej erotik, por jo vulgar. Fakti që kënga ishte serioze, shpëtonte çdo lloj vulgariteti.
Çfarë komentesh ke marrë për këtë projekt?
Më pëlqen të guxoj. Më pëlqen ta shpreh atë që kam në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në përgjithësi e kanë pëlqyer. Klipi është si film, mund të ishte dhe një pasazh filmi Hollywood-ian ajo skenë.