I ftuar në “Live from Tirana” ishte artisti Algert Sala për të folur rreth projekteve të tij muzikore, planet e radhës, si dhe procesit të krijimtarisë së tij artistike. Kënga e tij, “Hedh pas”, ndodhet momentalisht në vendin e 76 në “The Top List”.
Si lindi kjo këngë?
Filloi si pjesë e një projekti që dëshiroja ta nxirrja solo, por më jepte përshtypjen e një dueti. Sonja Likaj ishte personi i duhur që jepte atë çfarë dëshiroja të nxirrja në pah me këngën. Ramë dakord dhe e bëmë. Jemi pak detajistë dhe kështu që na u desh kohë për të perfeksionuar detajet.
Nga ku u frymëzove për tekstin, a është një përjetim personal i yti?
Atë e kam shkruar vetë kështu që domosdoshmërisht e kam përjetuar çdo moment të saj. Secili krijim i artit tim është i atillë. Megjithatë, përpiqem që punën time ta përcjell në një formë gjithëpërfshirëse që dhe të tjerët të lidhen në një farë mënyre me të.
Siç thotë dhe kënga, a e hedh pas një dashuri që nuk shkon siç duhet dhe çfarë e ke më të lehtë të hedhësh pas?
Nuk është kollaj ta bësh atë me dashurinë, asnjëherë nuk është, por nëse i ka ardhur koha, nuk duhet të mbahet më. Sa i përket të dytës, detajet e vogla në bisedë. Nuk kapem pas fjalëve, për ato gjëra që s’më hyjnë në punë fare, thjesht i harroj.
Si e merr frymëzimin ti?
Nuk ka ndonjë formulë ekzakte, mund të më vijë dhe në 3 të natës. Madje dhe në gjumë, kam pasur raste kur jam çuar, më ka pëlqyer ideja dhe menjëherë e kam zhvilluar.
Ke projekte të reja në verë?
Po punoj për një, por temperaturat duket sikur po na bllokojnë trurin dhe kemi ngecur pak prej tyre. Do të jetë një projekt solo, duetet janë shumë të vështira të bëhen sepse duhet gjetur personi i duhur. Gjatë procesit të krijimit të demove, vjen më natyrshëm emri i artistit dhe për momentin nuk ka njeri. Pres që ta lançoj brenda verës dhe jo më vonë.