Loredana është një nga reperet me origjinë shqiptare, e cila u shndërrua menjëherë në një sensacion. Falë videove të saj në rrjetet sociale, ajo mori një famë të madhe, duke bërë kështu që projekti i saj i parë muzikor “Sonnenbrille” të rezultonte mjaft i suksesshëm . Ndërkohë që vijoi me këngë “solo” dhe bashkëpunime me bashkëshortin, reperin e njohur Mozzik, Loredana u përfshi në një skandal të madh së bashku me vëllain e saj.
Përfshirja e Loredanës në skandalin e vjedhjes
Në muajin maj të këtij viti, mediat u pushtuan me lajmin se Loredana së bashku me vëllezërit e saj i kanë marrë një çifti zvicerian një shumë të madhe parash. Sipas gazetës zvicerane “20 Minuten”, 23-vjeçarja ka marrë rreth 700 mijë franga çiftit zviceran. Lidhur me këtë skandal, Loredana së bashku me Mozzik dhe dy avokatë dhanë një konferencë në Kosovë, në të cilën reperja pranoi se ka marrë një shumë parash por deklaroi se asgjë nuk është bërë me dhunë por me vullnet nga pala tjetër.
Pas skandalit, Loredana publikon “Labyrinth”
Pavarësisht gjithë zhurmës së madhe që u krijua, Loredana vijoi punën, duke sjellë projektin e radhës. Edhe pse gjendet në një labirint, reperja është mirëpritur nga fansat, të cilët besojnë në pafajsinë e saj dhe e kanë bërë pjesë të “The Top List”, falë sugjerimeve të tyre.
Duke qënë se kjo këngë i dedikohet parave dhe jetës luksoze, duket se Loredana i ka hedhur benzinë zjarrit, duke bërë që në rrjetet sociale të ketë edhe reagimet negative nga ana e publikut.
Shumë komentues në kanalin e “Youtube” kanë ironizuar Loredanën, duke i përmendur çiftin zvicerian dhe duke shtuar se falë tij, Loredanës i janë dyfishuar fitimet.