Pamela është një nga artistet e reja e cila i është bashkuar Top Awards vetëm dy javë më parë me projektin e saj “Hearts beat the same”. Ajo ka qenë e ftuar në studion e “Live From Tirana” në Top Albania Radio ku ka folur më shumë për këtë këngë dhe për pasionin e saj për muzikën.

Si ka nisur e gjithë gjëja për Pamelën?

Inspirimi im nisi në kohën e pandemisë, që në izolimin e parë. Shihja që njerëzit kishin ankth dhe u inspirova të shkruaj këtë këngë për të treguar që të gjithë ndjehemi njësoj. E bëra këngën për të sjell një lloj motivimi, sepse shumë të rinj kanë ndjesira që vetizolohen dhe askush nuk i kupton, kjo këngë është për të treguar që ata nuk janë vetëm, jemi të gjithë njësoj, kemi sfida në jetë por duhet të motivohemi për të ecur përpara.

Talenti në të kënduar si ka nisur?

Unë shkrimin e kam patur pasion që e vogël, në klasë të parë kësulkuqen e ktheva e bëra kësulroza dhe ujkun e bëra princin.(qesh) Muzika ka qenë gjithmonë aty në sirtar, një pasion i fshehtë sepse kam qenë e fokusuar te mësimet. Deri në univeristet nuk e kisha zhvilluar talentin tim në muzikë, por kur isha jashtë vendit thash është pjesë e imja dhe nisa kurse për të parë a bëj për ktë fushë. Ka qenë viti i dytë i universitetit që e zbulova. Kisha një kohë të gjatë që shkruaja, më vinin gjithmonë shkrimet si këngë jo si poezi. Vura re që kam ide muzikore dhe vendosa ta marrë më seriozisht. Jam duke bërë një këngë të re e cila është pak më e lehtë se e para, dua të sjell një këngë më alegro, ku njerëzit të kërcejnë, të ndjehet emocioni i këngës. Gjatë 4 viteve që kam qëndruar në Amerikë kam kuptuar që njerëzit i zhvillojnë pasionet e veta sepse ka hapësira ku mund të arrish hapa të mëdha. Në Shqipëri është e vështirë. Kam miq që janë të talentuar dhe i them pse nuk e merrni seriozisht dhe thojnë më mirë i futemi diçkaje tjetër dhe më vjen keq sepse ka shumë talente duke e menduar sa vend i vogël jemi.

Pasionet e tjera të Pamelës?

Modën e kam pasur pasion, kam qenë gjithë kohës duke ideuar, jam një personalitet që më pëlqen e çuditshmja, më inspiron. Vendosa të bashkoj dy pasionet e mia më të mëdha, modën dhe muzikën për të sjellë një koncept të ri. Çdo veshje e imja dua të ketë këngën e vet, dua të shkojnë paralel me njëra-tjetrën. Njerëzit ta ndjejnë inspiruese atë që veshin.