Kënga me e re e Soni Malaj në bashkëpunim me Benniton, “Pas si…”, është një nga hyrjet që iu bashkangjit kësaj jave klasifikimit të “The Top List”. Në një intervistë për emisionin “Live From Tirana” në Top Albania Radio, Soni ka treguar më shumë mbi këngën e saj të re dhe bashkëpunimin me Benniton, një artist i ri që gjithashtu iu bashkua “Top Awards” së fundmi.

Ti nuk je vetëm në këtë këngë vjen me Benniton…

“Po, me Benniton, një djalë që shumë e kanë ngatërruar dhe me Getoarin nga ana e zërit dhe kur e kanë dëgjuar në fillim kanë menduar se e kam bërë me Getoarin. Është një djalë që ka shumë qejf dhe pjesën e performancës. Është kërcimtar dhe ndoshta ky pasioni i përbashkët për kërcimin na bëri së bashku”.

Por pse erdhi pikërisht në shtator kjo këngë?

“”Pak si…” në fillim u nis si një këngë elektronike deri diku tek ato ‘rave’. Elektronike shumë e fortë. Dhe producenti i këngës që është Kico, tha: “Unë e kam me frikë këtë Soni, je duke eksperimentuar shumë”. Sepse origjinali është vërtet shumë i guximshëm. Dhe mori kohë kjo, pastaj stafi i videoklipit u sëmurë me Covid. Por tani nuk besoj më që ka nga këto periudhat që duhet patjetër në verë. Këto kanë ikur. Më përpara kanë qenë shumë të theksuara. Ne qendronim disa muaj pushim dhe sapo vinte maji dhe qershori, ne bëheshim si të çmendur sepse duhej kapur korriku, gushti për të lançuar materialet e reja. Ndërsa tani si duket edhe me pandeminë, nga këto kufizimet njerëzit janë më të predispozuar për të dëgjuar muzikë në çfarëdolloj stine.”

Si erdhi përzgjedhja e “Pak si…”?

“Si material ka një vit. Ka qenë në versionin tekno. Pastaj pas pandemisë, rryma afro-beat ishte shumë më popullore, plus është edhe më e kohës. Pavarësisht se këto rryma nuk dalin nga moda. Por afro-beat është diçka si më inovatore. Kështu që tek Kico unë shkova në një nga ushëtimet e mia të rradhës të punës në Kosovë. Lë një takim me Kicon, i shkoj në studio, dëgjoj gjithë ato që kishte bërë dhe ndër të tjera kishte edhe këtë, “Pak si…”. Dhe mua pikërisht kjo më tërhoqi vëmendjen, më pëlqeu.

Po me Benniton si erdhi ideja?

“Bennito njihte Ledian, bashkëpunëtoren time, kishte shumë dëshirë të bënte këtë bashkëpunimin dhe u përzgjodh “Pak si…”. Por ka qenë një procedurë më e gjatë se sa kaq në fakt. Ka marrë muaj e muaj. Ka zgjatur shumë dhe prej tekstin. Mund të kem bërë nuk e di se sa tekste.”

“Pak si…” renditet në vend të 71-të të klasifikimit në “The Top List”.