Bjorni Linza është ndër artistët më të rinj të tregut muzikor shqiptar. Ai u prezantua me këngën e tij të parë, “Malet lëvizën”, dhe menjëherë hyri në “The Top List”. Tashmë ai vjen me projektin e tij të radhës titulluar “Oh Celebrate Him” në bashkëpunim me Yohanan. Kjo këngë, njësoj si projekti i tij i parë muzikor, është i zhanrit gospel, këngë kishtare. “Oh Celebrate Him”, Bjorni ia ka dedikuar burimit të jetës, Zotit. Mëngjesin e sotëm Bjorni ka qenë i ftuar në studion e “Wake Up” për të folur më shumë për këtë projekt dhe jo vetëm. Po ashtu në një lidhje me Skype nga Bregu i Fildishtë ishte dhe Yohanan.

Çfarë do të thotë kjo këngë për ju?

Yohanan: Kjo këngë është kuptimi i jetës për mua. Sensi i jetës është të duash, ky është qëllimi dhe ajo që duam të komunikojmë nëpërmjet saj. Pra, të duam njëri-tjetrin.

Bjorni: Ndjemë këtë gëzimin e madh kur po e krijonim. Ky ka qenë dhe reagimi i të afërmve dhe miqve që e kanë dëgjuar për herë të parë.

Si jeni njohur me njëri tjetrin?

Bjorni: Unë kam qenë në një kishë në Milano dhe Yohanan ishte mikpritësi aty, pra që do të fliste. Që aty lindi një miqësi që vazhdon edhe sot. 

Yohanan: Ka qenë vitin 2011 apo 2012, kishte shumë njerëz në kishë. Shkova direkt tek ai sepse ishte i ri në atë kishë, dhe jemi bërë si vëllezër që atëherë.

A do të ketë projekte të tjera së shpejti mes ju të dyve? Bjorni na përgjigjet:

Kemi punuar shumë këngë dhe këtë e shohim si nisjen e fillimit të publikimit të tyre.

Para bashkëpunimit me Yohanan, Bjorni Linza solli “Malet lëvizën”, çfarë mund të na thotë ai rreth kësaj kënge?

Është një eksperiencë shumë personale. Këngët e mia janë të tilla. Ajo që shpresoj është që ato momente paqeje apo vështirësie, sadopak atë ta tranmetoj te publiku dhe të çoj një mesazh. Një lutje është pjesë e “Malet lëvizën”…

Si nisi si fillim lidhja jote me muzikën dhe me këngët gospel?

Familja ime ka emigruar herët në Itali. Prindërit e mi kanë qenë me besim myslimanë dhe gjëja e parë që bënë ishte të më çonin në një shkollë murgeshash. Këtë e panë si të duhurën në atë kohë. Arrita të bëhem pjesë e korit të fëmijëve aty. Kemi shkuar nëpër teatro të rëndësishme dhe merrnim pjesë edhe në opera të mëdha në pjesë të vogla. Ishte shumë kënaqësi.

A ka qenë ndonjë moment i vështirë që ke ndjerë këtë lidhje të fortë me Zotin?

Kjo lidhje ka ardhur në pikën më të fortë. Isha në Agli me studime dhe isha në mes të Londrës dhe konvikti ku isha unë ka qenë aty ku kanë lindur Coldplay. Isha në maksimumin e asaj që mund të ëndërronte një student. Nga jashtë çdo gjë shkonte mirë, por brenda isha bosh, nuk isha rehat. Ai vit shkoi me atë boshllëkun dhe dështova në studime. U ktheva në Tiranë dhe ai presioni që i zhgënjeva prindërit e mi, ishte i madh. Gjatë atij viti unë gjeta atë që sot është drita e syve të mi, bashkëshorten time. Ajo ishte personi që më çoi për herë të parë në kishë. Aty gjeta veten dhe rifillova rimbushjen dhe eca përpara.