Ndërkohë që janë bërë pjesë e klasifikimit javën e kaluar, dy projektete muzikore “Nutella” dhe “E Imja” kanë korrur një super sukses këtë javë, duke u shndërruar në këngët që janë ngjitur me më shumë pozicione këtë javë.
Duket se shumë fanse e kanë gjetur veten tek prurja e re e Bloody, duke treguar kështu pëlqimin që këngëtari i ka krahasuar femrat me nutella-n. Falë mbështetjes së madhe nga ana e publikut, “Nutella” është ngjitur me plotë 55 pozicione nga java e kaluar, duke u renditur në vendin e 26-të.
Bloody është kontaktuar nga “Top Awards” lidhur me këtë sukses, për të cilin është shprehur: “Më vjen vërtet mirë që kënga është ngjitur kaq lart. Nga momenti i parë që unë e postova në rrjetet sociale që kënga është futur në Top Awards më erdhën shumë mesazhe me foto që tregonin se kishin votuar këngën. U ndjeva shumë mirë sepse kuptova që kam me të vërtetë njerëz që më ndjekin kudo”.
Nga ana tjetër një vlerësim shumë të madh nga ana e publikut ka marrë edhe prurja më e re e West Side Family. “E Imja” titullohet ky projekt muzikor, i cili është bërë menjëherë pjesë e klasifikimit të Top Awards, që në javën e parë të publikimit. Këtë javë, kjo këngë ka korrur një sukses të jashtëzakonshëm, duke u ngjitur me 47 pozicione .
Sa i përket kësaj arritje, West Side Family është shprehur: “West Side Family ka më shumë se sa një marrëdhënie dashurie me publikun. WSF ka ardhur nga publiku, ka kënduar për publikun dhe mbështetja prej 20 vjetwsh, tregon që është një grup i publikut. I ka kënduar dhe ka prekur thuajse të gjitha temat sociale duke filluar me politikën dhe faktin që duhet të kërkojnë më shumë nga vetja e të tjerët e duke pasuar me temat e tjera sociale. Jemi këtu ende sot e kësaj dite sepse kemi qenë të vërtetë, të vëmendshëm ndaj kritikave dhe sugjerimeve dashamirëse, si edhe zë i çështjeve sociale. Humbja e një pjese të pazëvendësueshme dhe shumë të rëndësishme siç ishte artisti Dr. Flori, shkaktoi një pauzë natyrale të kuptueshme, por vazhdimësia e WSF aktualisht është mbështetur nga publiku dhe media e kjo e fundit duhet të jetë bashkëpunëtor i çdo artisti që çon përpara vlera njerëzore dhe kujtime. Pavarësisht se me një ritëm ndryshe nga më parë, WSF do të vazhdojë të krijojë dhe dhurojë publikut emocione të ndryshëm. Mbështetja juaj na jep krahë, na bën më të përqëndruar për t’ju dhënë diçka që do të jetojë shumë gjatë. Faleminderit për mbështetjen”.