E ftuar në “Live From Tirana” në Top Albania Radio, ka qenë këngëtarja Gerona Hyska, për të treguar mbi historinë e saj të suksesit dhe karrierën në SHBA. Si ishin fillimet e saj në një vend të huaj, sfidat por dhe gëzimet e saj…

Si erdhi vendimi për t’u larguar për në Amerikë?

Ka qenë shumë interesante. Unë mbarova studimet në Fakultetin e Ekonomisë këtu në Tiranë dhe pastaj shkoj për një specializim në Francë, për Diagnostikim të Menaxhimit Operacional të Bizneseve. Vij në Tiranë dhe krijoj ato idetë e mia se ku dua të punoj. Vendos të shkoj në Amerikë për një vizitë tek të afërmit e mi, shkoj për herë të parë në New York, kam marrë një valixhe shumë të vogël, duke llogaritur rrobat për një javë. Kur shkoj, java e parë ishte shumë e këndshme, por javën e dytë u mërzita pak. Pata një telefonatë nga një miku im, që më tha prit se kam disa dasma, shkojmë dhe pastaj kthehemi. Çfarë të bëja unë aty edhe një muaj, ku nuk më njihete askush atje? Isha thjesht një vajzë e vogël, në mes të një bote kaq të madhe.

Unë herën e parë kam punuar si babysitter atje, edhe pse nuk kisha problem pjesën ekonomike, mendoja sikur të jetoj një ditë në Amerikë, dhe jetës nuk i dihet se si të përplas, asnjeri nuk ka lindur i suksesshëm, asnjeri nuk ka lindur i pasur. Dhe aty filloi sfida ime. Shoqja ime e ngushtë më gjeti kontaktet, dhe unë shkoj tek kjo vajzë që ishte braziliane, punonte në real estate dhe modele shumë e suksesshme në Manhattan. Më pyet nëse kam punuar ndonjëherë babysitter dhe i them që kam mbajtur gjithë kushërinjtë e vegjël, isha njeriu më i besuar. Kam punuar aty derisa fillova të merresha me muzikë. Punova një muaj si babysitter, mbaja vajzën e saj, paguhesha 20 dollarë ora, nga mëngjesi, deri në 12 apo 1 të natës kur ajo kthehej nga puna. Ka qenë interesante se e merrja vajzën e saj dhe e çoja me taxi në shkollë, por asnjërit nuk i tregoja, që unë po punoj të sfidoj veten. Një ditë ajo hap Instagramin tim, se unë nuk i kisha treguar se kush isha dhe çfarë bëja. U ulëm për të pirë një gotë verë dhe më pyeti si nuk i kisha treguar se kush isha, që të punoja krah saj si asistentja e saj për shitje apartamentesh. I thashë që unë vij nga një familje që më ka mësuar ta respektoj punën dhe mendoj se puna nuk është asnjëherë turp.

Unë tashmë kam dhe dy biznese të miat në Amerikë. Jam frymëzuar nga shqiptarë që sot janë milionerë dhe e kanë pasur nisjen e tyre duke larë enë. Më kanë frymëzuar njerëz që kanë kaluar shumë vështirësi dhe mendoj se ia ka vlejtur. Unë kam një coffee shop dhe një fast food me gyros. E studiova tregun dhe kam qenë në kontakt me shqiptarët, që i kërkonin këto. Unë jetoj në Michigan dhe ka aq shumë shqiptarë, sa kam harruar që jam në Amerikë.

Sa e vështirë është të këndosh live nëpër dasma?

Muzika live është seksi i shpirtit. Kënaqësia që të jep muzika live, nuk besoj se mund ta japë kuurë muzika playback. Sot njerëzit janë shumë perfektë duke kënduar playback, kurse unë kam zgjedhur që të jem ndoshta dhe ai personi i pa përsosur, por të jem shumë e vërtetë, të jem shumë pa filtra. Sot tregu është bërë pak i vështirë, sidomos kur je një femër pas një mikrofoni, sepse njerëzit të gjykojnë për pamjen dhe jo për zërin.

Me çfarë po punon tani?

Jam duke u marrë me disa projekte, më pëlqen që të këndoj moderne. Them moderne sepse unë gjithmonë fus atë shpirtin popullor. Unë e këndoj një këngë moderne me shpirt shqiptareje.