I ftuar në emisonin “Lancio” në Top Albania Radio nëpërmjet një lidhjeje telefonike ka qenë Nonejm, një reper i ri në tregun muzikor shqiptar. Ai së fundmi vjen me një bashkëpunim me artistin ADI, dy djemë nga Kosova që sjellin këngën “NBA”. I pyetur për këtë projekt, ai është shprehur:
Me Adin njihemi që më parë përmes muzikës. Ai ka punuar vazhdimisht dhe nuk është ndalur si muzikant, si producent, si tekstshkrues për të tjerët dhe veten. Edhe më parë kemi bashkëpunuar dhe kemi menduar se kur do të na vinte koha të bënim një këngë bashkë. Edhe kemi qenë në një studio dhe kemi patur si ide për të nisur diçka. Mua më ka pëlqyer shumë mënyra se si ka ecur projekti.
Në lidhje me vendosjen e titullit të këngës dhe kuptimit të tij, artisti është shprehur:
Ideja e titullit është siç është edhe vetë NBA, basketbolli, por kuptimi është “Never Broke Again”. E kemi marrë si shkurtesë për këtë temë. Por basketbolli përdoret vetëm si metaforë për pjesën që ne duam të bëjmë një hit, sukses dhe vetëm punë nga ana e muzikës dhe zhvillimit si artist. Ky është kuptimi.
Zakonisht reperët shquhen në lidhje me mesazhet që i tejçojnë ndjekësve të tyre dhe fokusimin e tyre në disa fusha të caktuara. Në lidhje me këtë pyetje, ai është përgjigjur si më poshtë:
Jo detyrimisht duhet patjetër të flasësh për drogërat ose të qenurit gangster nëse ti bën një këngë që titullohet “Never Broke Again”. Kryesisht jemi artista që ulemi dhe punojmë në studio për të krijuar ide të reja dhe për të sjellë inspirim tek përditshmëria e njerëzve. Ideja e kësaj është që të rritemi nga ana personale, financiare pse jo dhe ajo profesionale.
Gjithashtu, në lidhje me tregun shqiptar, ai ka folur:
Unë mendoj që është si një oqean për të bërë një të ardhme me të ardhura të mjaftueshme dhe për të zhvilluar edhe një biznes ndër vite. Ka mjaftueshëm për secilin që ka një konsistencë të vazhdueshme në punë.