Klasifikimi i kësaj jave ka patur dy artistë të rinj që janë bërë pjesë e tij dhe njëri prej tyre është Vert, një reper mjaft i talentuar.
“Sad” është titulli i këngës së tij të parë, të cilën e ka publikuar rreth një javë me parë. Sugjerimet e publikut, kanë bërë që Vert të bëhet menjëherë pjesë e listës së 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare dhe ai ka arritur të zërë vendin e 4-t, një pozicion ky mjaft i rëndësishëm për një hyrje të re dhe për një artist të ri. “Sad” tashmë mund ta gjeni në “Youtube” por gjithashtu edhe në të gjitha platformat e tjera dixhitale.
Po kush është Vert?
Vert, emri i vërtetë i të cilit është Aert Ramadani, është vetëm 20-vjeç, me origjinë nga qyteti i Burrelit por që prej 15 vitesh jeton në Tiranë. Vert, i cili i përket rrymës Hip Hop/Trap, përveçse është një reper shumë i talentuar, ai është gjithashtu edhe një tekstshkrues mjaft i mirë.
I pyetur nga Top Awards, se pse ka zgjedhur këtë emër artistik, ai është përgjigjur: ““Vert” në frengjisht do të thotë jeshile dhe ngjyra jeshile është një ndër ngjyrat e mia të preferuara por nëse “V” do ta kthejmë mbrapsht, ajo është “A” (Aert).
Ai është një djalë me shumë talente por pasioni i tij për muzikë ka lindur rreth 4 vite më parë, kur ai nisi të shkruante tekstet e tij të para. Vert tashmë është pjesë e shtëpisë diskografike “Bulza Entertainment”. Për biografinë artistike të Vert dhe shumë artistëve të tjerë zbuloni tek kategoria “Artiste”.
Por a është ai një Buta i ri?
Nëse do të shohim stilin në të cilin Vert performon, në mendje na vjen një tjetër artist dhe ai është Buta. I pyetur rreth ngjashmërisë së tij me reperin Buta, Vert ka dhënë një përgjigje jo vetëm për Top Awards por edhe për të gjitha komentuesit e rrjeteve sociale:
“Eshtë e vërtet që kam ngjashmëri, e kam parë dhe nga komentet që shumë e kanë përmendur diçka të tillë, sikur unë po e kopjoj atë etj. Në fakt unë doja të sqaroja dicka, Buta është një reper i suksesshem dhe tepër i mirë si artist. Gjithashtu dhe një nga të parët që arriti ta sjellë rrymën “Trap” në Shqipëri dhe është e vërtet qe e dëgjoj, është një ndër artistët e mi të preferuar por dua të saktësoj dicka, jo vetëm për ju por për të gjithë ata që kanë komentuar dicka të tillë. Te bësh “Trap Music”, nuk të thotë se ti po ndjek ndonjë artist apo sic ata shprehen se po e imitoj, në fakt unë po bëj muzikë që i përket rrymës “Trap”, e vetmja ngjashmëri me Butën”.
Pavarësisht komenteve që qarkullojnë, një gjë është e sigurt, Vert është vërtet një talent që premton shumë në muzikë.