Dren Gashi është një djalë nga Kosova, i cili ka nisur të merret me muzikë që në moshë të vogël. Ai u bë i famshëm në 2002 me këngën “Dren Supermeni”, një këngë që transmetohej në çdo televizion në atë kohë. Deri në moshën 12-vjeçare ai publikonte këngë për fëmijë që i përkisnin zhanrit “Rap” dhe “Hip Hop”.
Me kalimin e kohës shijet e Drenit evoluan, duke nisur të bënte muzikë “Rock”me disa grupe muzikore. Më pas u zhvendos në Londër, ku nisi të performonte nëpër klube nate dhe evente të ndryshme, kryesisht të zhanrit “Pop Rock”.
Rreth dy muaj më parë, Dreni ka publikuar projektin muzikor me titull “E nxone hapin”, të cilin vetë artisti e konsideron si projektin e tij të parë. Falë sugjerimeve të publikut, kjo këngë është bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List” gjatë kësaj jave, duke u renditur në vendin e 46-të.
I kontaktuar nga Top Awards, Dreni ka zbuluar më shumë sa i përket muzikës dhe planeve në të ardhmen.
TA: “E nxone hapin” është projekti juaj i parë muzikor?
Dren Gashi: Projektin “E nxone hapin ” e konsideroj si projektin tim të parë muzikor edhe pse kam patur disa të tilla kur isha fëmijë.
TA: Si lindi ideja për këtë këngë?
Dren Gashi: Unë me profesion jam inxhinier ndërtimit por pasioni për artin dhe ideja për të sjellë një frymë më ndryshe në muzikën shqiptare më
shtyu që të sjell “E nxone hapin”.
TA: Për cfarë flet kënga?
Dren Gashi: Kënga flet për dashurinë që vajza është duke ma shprehur shumë heret. Ajo ka rënë në dashuri me mua herën e parë që jemi takuar sikurse
edhe unë kam rënë me të, por unë e fsheh dashurinë, duke mos ja shprehur.
TA: Cilët janë bashkëpuntorët e tu? Kush është kujdesur për tekstin dhe muzikën? Klipi ku është xhiruar?
Dren Gashi: Këngën e kam kompozuar vetë ashtu si edhe tekstin. Ndërsa është realizuar dhe miksuar nga producenti shqiptar Irkenc Hyka. Videoklipi është xhiruar në Londër dhe në Dorset në jug të Anglisë. Videoklipi ka patur një kosto shumë të ulët pasi është xhiruar vetëm me një kamër “GoPro” dhe është montuar me një laptop “second hand”. Në vendin ku është xhiruar videoklipi, pra në Dorset ka xhiruar edhe Shawn Mendez këngën “Nothing holding me back” dhe Coldplay ka xhiruar këngën “Yellow”, në po të njëjtin plazh.
TA: Cilën rrymë muzikore preferoni?
Dren Gashi: Preferoj të dëgjoj “heavy metal” dhe të këndoj “pop rock”
TA: Cili është artisti që ju frymëzon për karrierën tuaj muzikore?
Dren Gashi: James Hetfield, vokalisti i Metallica është këngëtari im i preferuar ndërsa si model ndjek Adam Levine, Charlie Puth dhe Shawn Mendez.
TA: Mendimi i parë që të erdhi në mendje kur more vesh që ishe pjesë e “The Top List”…
Dren Gashi: Isha shumë i gëzuar për faktin se tani kënga ime do dëgjohej edhe në Shqipëri, një vend ku vlerësohen më shumë vlerat artistike sesa klikimet dhe gjërat e tjera të tilla.
TA: Cili mendoni se do të jetë pozicionimi juaj javën e ardhshme?
Dren Gashi: Mendoj se do hy në “Top 20”, nuk e di a është kjo më shumë një dëshirë apo parashikim.
TA: Nje mesazh për të gjithë ata që të kanë votuar….
Dren Gashi: I falenderoj nga zemra. Vazhdoni të dëgjoni muzikë të bukur dhe vazhdoni të më mbështesni. Nuk do t’ju zhgënjej!
TA: Po punoni për ndonjë projekt të ardhshëm muzikor?
Dren Gashi: Po jam duke punuar pë një projekt të ri, i cili do të publikohet në muajin dhjetor. Synimi është që të sjellë prap origjinalitet dhe diçka më ndryshe.