Bray është një nga hyrjet më të reja të klasifikimit të kësaj jave të “The Top List”. E titulluar “3 a.m in Paris”, kjo këngë ka vetëm një javë që ka dalë në tregun muzikor dhe është pritur mjaft mirë.

Po kush është Bray?

Bray, emri i vërtetë i të cilit është Brajan Saraci, momentalisht jeton dhe studion në Francë. Edhe pse ka pak javë që ka publikuar projektin e tij të parë muzikor, Brajan studion për një degë krejtësisht ndryshe nga muzika, për Inxhinieri Mekanike.

I kontaktuar nga Top Awards, 22-vjeçari tregon se ai është rritur në një familje muzikantësh. Nëna e tij është pianiste ndërsa babai ka përfunduar Akademinë e Arteve për Trombë.

“Unë gjithmonë kam patur muzikë në shtëpi por asnjëherë nuk kisha marrë një hap konkret pasi i jam dedikuar shkollës dhe aktiviteteve të tjera”, ka thënë Bray.

Edhe pse asnjëherë nuk ka qënë i shtyrë nga familja që të ndjekë fushën e muzikës, Brajan me origjinë nga Shkodra, në moshën 15-vjeçare u bë pjesë e një grupi me të cilin mblidhej dhe këndonte muzikë të zhanrit “rock” dhe “blues 90′” por kjo eksperiencë përfundoi shumë shpejt.

I frymëzuar nga muzika e Drake, gjatë këtij viti, këngëtari tregon se i lindi dëshira për muzikë dhe kuptoi që e vetmja gjë që bënte me pasion ishte muzika.

“Rreth 7 muaj më parë mora një iPhone 7+, nga i cili mu dha mundësia të kompozoja gjëra të vogla. Në fillim ishte thjesht për të kaluar kohën por më pas u shndërrua në një mënyrë që shprehesha dhe këtë e mbaja për vete dhe të afërmit e mi”, shton më tej 22-vjeçari.

Brajan tregon se pasi bënte instrumentalet me iPhone, regjistronte këngët me kufje dhe në të njëjtën mënyrë është finalizuar edhe projekti “3 a.m in Paris”.

Talenti i ri në muzikë tregon se ky projekt muzikor nuk i kushtohet Parisit por momenteve që vetë ai ka kaluuar së fundmi aty.

“Janë disa kujtime të bukura që i kam shprehur në atë mënyrë”, shprehet Bray.

Por si ndihet Bray që kënga e tij e parë është pjesë e klasifikimit të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare?

“Më duket diçka e pabesueshme duke marrë parasysh faktin që para një muaji e dëgjoja vetëm unë këtë këngë. Të kalosh nga një dhomë me drita të fikura, ku unë këndoj deri në 5 të mëngjesit në listën këngëve më të mira në Shqipëri, është wow”, shprehet Bray.

https://www.youtube.com/watch?v=9ZGIciQ5jt8