Çdo verë ka kolonën e saj zanore. Janë ato këngë që dëgjohen në makina me xhamat hapur, në plazh, në festa dhe që, pa e kuptuar, mbeten të lidhura përgjithmonë me një sezon të caktuar. Në pesë vitet e fundit, skena shqiptare ka sjellë dhjetëra hite që kanë dominuar klasifikimet dhe platformat muzikore, duke kthyer artistët më të njohur në protagonistët e verës.

2021

Viti 2021 solli disa nga bashkëpunimet më të suksesshme të viteve të fundit. “Nina” nga Bruno, Flori Mumajesi dhe Klajdi Haruni u kthye shpejt në një nga këngët më të dëgjuara të sezonit. Po aq sukses pati edhe “Dale”, që bashkoi Butrint Imerin, Kidën dhe Ledri Vulën, ndërsa Elvana Gjata dhe Yll Limani fituan zemrat e publikut me “E di”, një këngë që vazhdon të dëgjohet edhe sot.

2022

Në vitin 2022, duetet ishin formula fituese. Elgit Doda dhe Xhensila Myrtezaj sollën “A e din”, ndërsa Gjiko dhe Fifi shënuan sukses me “Djegi krejt” dhe më pas me “365”. Ndërkohë, Yll Limani ishte padyshim një nga artistët më aktivë të verës me dy bashkëpunime të mëdha, “Tonat” me Ledri Vulën dhe “Alkool” me Noizyn.

2023 

Pas fenomenit të krijuar nga Big Brother VIP Albania, Luiz Ejlli dominoi edhe muzikën. “Përjetësisht” dhe “Dedikim”u kthyen në dy prej këngëve më të dëgjuara të vitit, ndërsa Romeo Veshaj dhe Ledri Vula sollën një tjetër hit me “E keni dit”.

2024

Vera e vitit 2024 solli një tjetër bashkëpunim të shumëpritur mes Ledri Vulës dhe Elvana Gjatës me “No Love”, ndërsa The Ironix dhe Ardian Bujupi ndezën atmosferën me “Yarnana”. Edhe Luiz Ejlli vazhdoi suksesin me “Më fal”, ndërsa Vanesa Sono surprizoi publikun me “Një gotë”, një nga këngët që u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale.

2025

Në vitin 2025, konkurrenca ishte më e fortë se kurrë. Gjesti u kthye në një nga emrat më të komentuar me “Veshu n’dequ”, ndërsa Noizy solli “Çantën”. Lumi B, Ghetto Geasy dhe Egli bashkuan forcat në “O sa mirë”, ndërsa Elvana Gjata dhe Yll Limani vazhduan të dominojnë me “Ego” dhe “Larg”.

Po 2026? Gara është ende e hapur.

Edhe pse vera nuk ka përfunduar ende, disa projekte kanë nisur të spikasin dhe po fitojnë terren në klasifikimin e “The Top List”.

Mes tyre është “Fuqishëm” nga DJ Gimbo dhe Gjesti, një këngë ritmike që po dëgjohet gjerësisht. Një nga surprizat e këtij sezoni është edhe Mateo Borri, i cili me debutimin e tij “Kur të jesh larg” ka arritur të ngjitet në krye të The Top List, duke fituar mbështetjen e publikut. Në garë mbetet edhe Yll Limani me “Ta kom fal”, ndërsa DJ Gimbo rikthehet sërish në listë me “DJ Remix”, në bashkëpunim me Rezarta Shkurtën.

Megjithatë, si çdo vit, është ende herët për të shpallur fituesin e padiskutueshëm të verës. Historikisht, shumë nga hitet më të mëdha janë publikuar në mesin ose në fund të sezonit, duke ndryshuar krejtësisht garën.

Një gjë mbetet e pandryshuar, çdo verë ka këngën e saj. Dhe kur të mbarojë sezoni, do të jetë publiku ai që do të vendosë se cili projekt do të mbahet mend si hiti i verës 2026.