E ftuar në emisionin “Pardon My French” në Top Albania Radio me Jonida Aliçkollin dhe Lei Krajën ka qenë artistja e mirënjohur, Fifi. Ajo ka zbuluar më shumë detaje nga jeta e saj, karriera dhe suksesi që ka arritur përgjatë viteve dhe gjithashtu ka treguar disa sekrete në lidhje me albumin e ri që do të sjellë dhe jo vetëm…

Njerëzit janë lodhur me muzikë bastarde, jo gjithkujt i rri një zhanër i caktuar. Kështu funksionon edhe në borë sepse secili artist qëndron tek vendi i tij. Taylor Swift, Beyonce, Billie Eilish, Dua Lipa e kanë zhanrin e tyre dhe qëndrojnë po aty nuk devijojnë rrugës ose të paktën e mbajnë për një vit atë gjë.

Artistja shtoi më pas se:

Ne një muaj bëjmë këngë popullore, muajin e dytë bëjmë këngë afro, muajin e tretë një ‘rock, R&B’ , të katërtin një baladë epike, në të pestin një baladë house. E kam bërë edhe unë këtë gabim, kam bërë edhe një reagim për këtë së fundmi, që kam eksperimentuar me vetëdije. Unë rri tek baladat mirë kryesisht dhe tek këngët me energji të fortë. Pastaj tek zhanret e tjera, unë jam duke notuar dhe duke lundruar, pra nuk jam në vijë të drejtë. 

Kur Jonida e pyeti në lidhje me projektet muzikore nëse është duke punuar apo do të publikojë diçka së shpejti, Fifi u shpreh:

Jemi duke punuar në atë drejtim, jemi duke punuar për këngë të bukura, tani vetëm pritet që të publikohen. 

Në studio u diskutua se artistët që të krijojnë këngë të bukura duhet të kalojnë vuajtje ose të përballen me diçka dhe në lidhje me këtë Lei e pyeti Fifin nëse ndodh e njëjta gjë me të, apo krijon hite kur është në kulmin e lumturisë dhe të dashurisë?

Krijoj, por i bëj të lumtura. Ajo çfarë kam kuptuar unë në këtë dyvjeçarin tim shumë të lumtur është se njerëzit nuk janë shumë të lumtur. Jo, sepse njerëzit po duan këngë me ‘prerje damarësh’, emocionalisht shumë të thella.

Një ditë unë mendova që jam shumë e lumtur, pse duhet të bëj një këngë të lumtur prapë dhe i thashë burrit që a do të më bësh nervoze, do të më mërzisësh një javë ose një muaj, gjysmë sezoni pa problem fare sa të mbyll pak katër ose pesë këngët e ‘EP’ që kemi për t’i publikuar. Po e kemi një ‘EP’ dhe prej pesë ose gjashtë këngëve sepse nuk e kam vendosur ende se sa do të jenë, dy prej krijimeve janë nga viti i kaluar dhe një prej vitit 2023. Janë krijime që rrinë në sirtarin tim, më pas këngët e tjera i kam krijuar rrugës. 

Jonida e pyeti Fifin nëse koha që ajo i kërkoi partnerit të saj që ta mërziste për të plotësuar këngën, përkon me të njëjtën periudhë kur në media filloi të qakullonte lajmi se mes tyre si çift kishte një krizë. Artistja u përgjigj duke thënë se:

Jo, jo pasi ajo ishtë një periudhë që ne ishim shumë të qetë dhe nuk e di se çfarë patën. 

Për të publikuar një këngë, është më shumë qejf për Fifin apo është dhe njëfarë presioni duke qenë se në këtë periudhë tani çdo gjë po varet nga klikimet dhe viraliteti?

E kam pas ndjerë këtë presionin derisa erdhi një moment dhe thashë që ‘duhet vetëm të krijoj muzikë’. Që prej këngës “Zemrën” kam thënë që do të nis tani që të publikoj dhe të bëj vetëm muzikë që mua më pëlqen dhe të mos them vetëm ‘të bëj një hit’. Më fal por çfarë dreqin, ku e dinë ata se kush është hit dhe kush jo. Kur unë i kam bërë këngët më të bukura të jetës sime kam thënë që dua të bëj një këngë të mirë që njerëzit të më dëgjojnë mua dhe këtë gjë e kam përdorur deri tek kënga “HANA”. Pastaj nisa të influencohesha prej tregut dhe aromës bastarde që lëshon muzika këto vitet e fundit. 

Artistja shtoi ndër të tjera se ka vendosur sërish të rikthehet në pikën që dëshiron të bëjë muzikën siç ajo e ndjen dhe jo të influencohet nga artistë të tjera apo rrymat muzikore.

Këngët e mia unë nuk i hap t’i dëgjoj të them të drejtën, këngët që unë i dëgjoj janë vetëm këngët e reja që nuk kanë dalë ende dhe më duhet që t’i hap që të shikoj nëse duhet të ndryshoj ndoshta diçka. I dëgjoj në momente të ndryshme që të shikoj nëse ma japin sërish emocionin e njëjtë. A ja vlejnë ose jo. 

A ndikohet Fifi nga lajmet që qarkullojnë në median e shkruar?

Është gënjeshtër nëse thua që nuk ndikohesh. Është hipokrizia më e madhe e një individi që pyetet nëse ndikohet dhe nëse i sheh dh përgjigjet duke thënë ‘jo’. Të gjithë i shohim, të gjithë i komentojmë ndonjëherë edhe e anashkalojmë pak, por që na ngel një traumë e vogël prej komenteve sidomos atyre negative. Kur ka komente pozitive ne vetëm i bëjmë ‘scroll’ dhe pse në fakt me to duhet të merremi. Sa i përket kësaj gjëje, po merrem pak me komentet e njerëzve, por kam ardhur në një pikë që më acarojnë ose më mërzisin në ato minutat e para pastaj ia kam marrë dorën dhe i kaloj, pas një periudhë i procesoj dhe i lë të shkojnë. 

Fifi u shpreh se ecën shumë me energji dhe Jonida e pyeti nëse kjo gjë funksionon edhe në lidhje me bashkëpunimet që ajo ka, jo vetëm në miqësi dhe në marrëdhënie, por edhe në bashkëpunime? E ndjen kur energjia do të jetë e mirë mes dy artistëve?

Patjetër, po. Këto projektet e fundit i kam pasur disa bashkëpunime, me Lumin, me Luizin, me Ermal Fejzullahun, me KIDDA, edhe te projekti me MUMA-n jashtëzakonisht jam kënaqur, kemi pasur një proces shumë interesant të krijimit të këngës. MUMA ka shkruar më shumë se unë tëk kjo këngë. Ka qenë një nga rastet e rralla ku unë kam thënë ‘ok po të dëgjoj’.