Deri më tani keni pasur mundësinë të shihni në intervista shumë më ndryshe nga sa jeni mësuar disa nga artistët e ‘A Live Night’ dhe t’i dëgjoni duke performuar ‘live’ teksa na falin një emocion shumë të vecantë duke performuar hitet e tyre ndër vite.

E teksa keni dëgjuar rrëfimet e Arilena Arës, Ylli Limanit dhe Ronela Hajatit, sonte Capital T është i ftuar për të thënë gjithçka nuk dinim nga artisti, duke nisur nga fëmijëria, vështirësitë që ka kaluar për të qenë këtu ku është sot si një personazh i konfirmuar, mendimin e tij mbi tregun muzikor në ditët e sotme, jetën personale të tjera.

Fillimisht, reperi tregoi pa modesti se i ka dhënë shumë muzikës sonë dhe se puna e tij do të kuptohet edhe më shumë në vitet e ardhshme, pasi ai ka bërë një revolucion.

Mendoj që edhe nëse nuk e pranojnë momentalisht industria, njerëzit e industrisë ose kolegët e mi kam bërë shumë ‘thyerje’, shumë revolucione dhe mendoj që koha ka për t’i treguar të gjitha se tani është shumë herët. Mendoj që kur të mos jem më në muzikë njerëzit kanë për të më vlerësuar dhe do të më japin kreditet.

Kapo, në një rrëfim si kurrë më parë për fëmijërinë e tij na zbuloi se si është rritur dhe çfarë ka kaluar kur ka qenë thjesht një fëmijë.

Në fëmijëri kam pasur shumë kujtime të bukura edhe pse fëmijëria ime ka qenë kryesisht edhe në periudhën e luftës, por gjithsesi e kam shijuar pafundësisht se e kam pasur me shumë fëmijë, me shumë njerëz rreth vetes, me kushërinj dhe si gjithmonë pa marrë parasysh kushtet, fëmijët e shijojnë maksimalisht. Kështu konsideroj që kam pasur një fëmijëri shumë të mirë. Konsideroj edhe një periudhë që pavarësisht sa e vështirë ka qenë nuk është e njëjtë me fëmijët e sotëm që e kanë shumë të lehtë. Kryesisht kemi qëndruar në Kosovë, por vetëm në fund kur ka përfunduar lufta kemi ndejtur për një periudhë shumë të shkurtër në Francë dhe jemi kthyer prapë pastaj. Raportet kanë qenë të shkëlqyera në familjen time, kryesisht me nënën kam qenë më i lidhur se babi ka qenë shumë i angazhuar dhe me pasionin e tij, futbollin ka qenë tërë kohën në udhëtime. Kam jetuar bashkë me xhaxhain, ai ka 9 fëmijë dhe ne të tre me prindërit kemi jetuar me një shtëpi. Jemi një familje shumë e madhe.

Capital T tregoi se si lindi pasioni i tij për muzikën duke na zbuluar në fakt se ka qenë ‘dashuria’ e tij që në fëmijëri dhe ndihmë për reperin ka qenë gjithashtu daja e tij, një artist i njohur i zhanrit hip-hop gjithashtu, 2po2.

Muzika më ka tërhequr gjithmonë, ndoshta nuk e kam pasur qëllim krysesor, normalisht kam pëlqyer edhe gjëra të tjera. Më kanë pëlqyer artet marciale, në një moment futbolli për shkak të babit, po muzika ishte ajo që mbas çdo procesi, çdo lëndimi ka qenë shpëtimi. Muzika më ka përqafuar. Që fëmijë kam nisur të merrem me muzikë. Inspirim ka qenë Tupac, Biggie, Eminem, Fifty Cent, ka pasur shumë po kryesisht këta kanë qenë. Po flas për ata jashtë se për në Shqipëri dihet që ka qenë daja im 2po2. Dëshira ka qenë e imja se e kam bërë dhe para se t’ja tregoja atij. Kam filluar duke regjistruar ‘demo’ fillimisht me kushte minimale, pastaj me shokë nëpër studio, pastaj ia tregova punët e mia dhe ka qenë një bisedë shumë korrekte me të. Më tha që nëqoftëse nuk ke potencial nuk dua të të shtyj në një diçka që nuk mundet të funksionojë. Unë atëhere kam qenë 13-14 vjeç dhe ai u surprizua. I kam shkruajtur pjesët e mia dhe i pëlqyen shumë. Pastaj debutova me këngën time të parë me videoklip në 2007 ‘Shopping’ dhe pastaj ‘the rest is history’.

Edhe pse nuk njihet si personazh që bëhet pjesë e skandaleve apo ka probleme me kolegët e tij, Kapo rrëfeu pa ‘pa doreza’ lidhur me ndryshimin e tregut muzikor dikur dhe në ditët e sotme. Padyshim që reperi mundet ta bëjë një diferencë pasi ka shumë vite që është një element i rëndësishëm i muzikës shqiptare prej shumë vitesh tanimë.

Industria në atë kohë ka qenë shumë ndryshe. Në atë kohë nuk më interesonte për famë, e bëja për dëshirën time. Shkoja në studio dhe punoja, nuk ka qenë e rëndësishme fama në atë kohë. Po flasim për vitet 2006-2007, në ato kohë nuk ka pasur rrjete sociale, është kohë shumë e vjetër, kanë qenë televizionet, ka qenë shumë më transparente. Duhet të kishe shumë potencial, jo të blije klikime ose shumë tema që fliten sot që është shumë më e lehtë të marrësh vëmendje. Unë them gjithmonë 80% është puna, talenti është çështje shijesh. Nëse nuk e bën punën, sidomos tani që industria është kaq shumë aktive, ka shumë konkurrencë. Faktori kryesor është puna.

Ndër këto rrëfime, Kapo na tregoi se sipas tij, cili është ‘çelësi i suksesit’ që e ka bërë reperin të jetë këtu ku është sot.

Mendoj që çelësi i suksesit është që përçoj emocion. Unë kur e flas një gjë, nuk po them në të gjitha këngët se është e pamundur se unë vetë prodhoj shumë, po 90% e produkteve të mia përçojnë emocion se e flas diçka sikur edhe nëse nuk është gjë e imja e them sikur është përjetim i imi dhe prandaj njerëzit e përqafojnë më lehtë. Karriera ime ka qenë me faza-faza, ka pasur disa pika të rëndësishme që mua më kanë bërë të jem ky që jam. Përveç këngës debutuese që ka qenë shumë e veçantë, ka qenë dhe bashkëpunimi me Dafina Zeqirin dhe 2po2. Ka qenë videoklipi shumë më ndryshe nga çfarë ka sjellë industria asokohe. Mendoj që kënga ‘U bo vonë’ ka qenë ajo që e ka bërë diferencën prej meje dhe artistëve të tjerë. Ka qenë këngë që ka ‘thyer akullin’ nëper klubet e natës që vendosnin këngë të huaja dhe pas kësaj kur panë se pëlqehej dhe muzika jonë filluan të vendosnin muzikën shqiptare. Edhe sot e kësaj dite eksperimentoj me zhanre të ndryshme, më pëlqejnë të gjitha llojet e muzikës për t’i dëgjuar, nuk ka diçka që s’me pëlqen si zhanër bëhet fjalë, kështu që mundohem t’i bëj me ‘flejt’ me njëra-tjetrën që të jem dhe unë pjesë e atij balanci. Prej fillimit të karrierës kam eksperimentuar shumë, derisa kam gjetur një mes të artë.

Artisti njihet për publikun si një njeri që nuk para tregon shumë rreth vetes së tij dhe kjo gjë e ka bërë shpesh të konsiderohet si ‘i ftohtë’, por çfarë mendimi ka Kapo lidhur me këtë?

Mendoj që si figurë publike te njerëzit që nuk kam afërsi, kam një lloj barriere që nuk i lejoj të më shijojnë 100%-shin tim, kurse me njerëzit e afërt jam shumë më ndryshe, shumë më i hapur, më i afërt. Për sa i përket karakterit, virtytit mendoj që çdo gjë që kam si njeri e kam edhe si artist. Si person nuk kam preferuar asnjëherë të përdor strategji, role kam pasur qejf me punë me arrit atje ku dua të arrij dhe jo me skandale si ka shumë artistë nëpër botë, jo vetëm te ne. Unë nuk kam preferuar.

E gjithashtu lidhur me jetën e tij private Capital T ka qenë shumë i rezervuar, por ekskluzivisht për ‘A Live Night’ reperi na flet më shumë se çfarë e ka bërë të jetë kështu dhe gjëra të tjera të cilat nuk i dinim më parë.

Jeta private nis menjëherë me fjalën e dytë, ‘private’ prandaj dhe unë kam pasur qejf ta mbaj private. Mendoj që gjërat më të mira duhet t’i mbash për vete. Lidhja është diçka shumë personale dhe përdor shumë elementë të  ndryshme që ndoshta nuk shfaqen në raporte të tjera. Unë nuk kam dashur ta shfaq pikërisht prej frikës se do shkatërrohet diçka e mirë për shkak të mentalitetit. Për të mos i cënuar privatësinë personit që kam në krah se ndoshta nuk ka dëshirë, pasi jo çdokush që kam pasur lidhje ka qenë personazh publik, në fakt teper pak ka që kanë qenë, kryesisht kanë qenë njerëz që kanë jetë normale. E di që ndoshta shumë më kishte ndihmuar në karrierë, po për mua puna është primare dhe atë pjesë e kam ruajtur si thesar të çmuar dhe nuk e kam shitur për asgjë.

Si një artist prej shumë vitesh në karrierë, Kapo na zbuloi më shumë rreth marrëdhënies së tij me kolegët për të cilën u shpreh se janë ashtu si duhet të jenë dhe dha një mesazh për të rinjtë që për pak kohë e krahasojnë veten me artistët që prej kohësh janë në tregun muzikor.

Jam shumë krenar me industrinë tonë, kemi artistë shumë të mirë që mundet të konkurrojnë botën. Me një gjuhë që flasim vetëm ne dhe kemi bërë gjithë botën të na njohë. Artistët dhe sportistët janë elementë kyç që e bëjnë Shqipërinë dhe Kosovën me u rendit diku në botë. Mirëpo, patjetër kur ka kaq shumë talente ka dhe shumë njerëz që duan të jenë pjesë e industrisë me patjetër dhe ka shumë artistë duke marrë parasysh sa veta jemi njerëzit mendojnë që mundet me shumë pak mund të bëhen pjesë. Mendojnë se karriera, muzika është 1 ditë, 1 javë, 1 vit. Mediat janë më shumë të orientuara nga fitimet se sa për të promovuar një vlerë. Nuk më pëlqen që dikush vjen për 1 vit, nuk mundet të krahasohet me artistë që kemi që 2o vite që kemi një nivel të caktuar.

Kapo foli gjithashtu dhe për ndjekësit e tij që si një artist me kaq shumë vite karrierë i ka të shumtë. Reperi nuk ngurroi të tregonte dhe marrëdhënien e tij me kolegët.

Fansat e mi janë shumë të rëndësishëm. Mundohem me qenë shembull i mirë për ta, mos me i inflencuar për keq. Ka qenë shumë e vështirë duke marrë parasysh trendet. Jam jashtëzakonisht i lumtur me çfarë kam dhe raporti me artistët është fantasik për shkak se kam raport thjesht koleg, nuk kam asnjërin shok të ngushtë, vëlla. Deri sot nuk kam artist që i kam borxh ndonjë gjë pa përjashtim, nuk ka ndonjë artist që nuk e kam suportuar në ndonjë mënyrë , me mënyrën time dhe nuk ka besoj ndonjë artist që unë i kam prishur punë. Nëse kam pasur diçka me dikë e kam pasur direkt.

Çfarë është lumturia për Capital T?

Lumturia për mua, gjërat më të thjeshta në jetë, familja, jeta që unë e kam ndërtuar mendoj që është një jetë që çdo personazh mendoj që është mirë të kenë diçka nga rutina ime. Zgjohem shumë herët në mëngjes, bëj shumë aktivitet, sport. Kam bërë një balancë të mirë në jetë me gjithë gjërat, sot e kuptoj më mir si vjen fama, çfarë është, ia kam nisur shumë herët se fama nuk më ka ardhur shumë shpejt, kjo më ka ndihmuar shumë me konceptuar çfarë është.

Nëse do të takonte veten e tij në moshën 13- vjeçare, çfarë këshille do t’i jepte Kapo?

Me u kthy dhe një herë në kohë, ti flas vetes kur kam qenë 13 vjeç nuk do e kisha këshilluar shumë ndryshe. E kisha paralajmëruar për disa tipa të njerëzve që iu kam dhënë më shumë prej vetes se nga sa e kanë merituar të dijnë, me i vlerësuar më mirë situatat. Mendoj që nëse isha kthyer në kohë nuk do kisha ndryshuar shumë prej vetes, mendoj që i kam bërë zgjedhjet më të mira prej kohës. Mendoj që prapë se prapë i kam bërë zgjedhjet më të mira.

Reperi gjithashtu u shpreh se puna e tij si muzikant dhe të ardhurat që ai fiton prej kësaj pune, disa prej tyre shkojnë dhe për bamirësi, ndaj dhe artisti e cilësoi veten si ‘Robin Hood’ të kohëve moderne.

Unë i numëroj përafërsisht rreth 100 videoklipe dhe i kam dhe 200 këngë të tjera kështuqë ato janë copa të miat, janë produkte të miat, nuk është se mundem t’i diferencoj. Jam krenar që kam dhënë mesazh të mirë dhe kam shfrytëzuar muzikën për të bërë mirë, me marrë pare prej jetës së natës dhe me dhënë para te njerëz që kanë nevojë, jam njëfarë Robin Hood i kohëve moderne.