“A Live Night” padyshim që përgjatë gjithë javëve të fundit ka sjellë për ju intervistat më unike dhe muzikën ‘live’ më të mirë nga artistët më në zë dhe të talentuar të showbiz-it tonë. Këtë të shtunë, Eugent Bushpepa ka rrëfyer gjithë jetën e tij, duke nisur nga fëmijëria, sakrificat që ka bërë për t’ju futur botës së artit, jeta personale, fama dhe shumë të tjera.
Fillimisht, këngëtari na zbuloi sipas tij cili është sukesi më i madh i një artisti?
Fama nuk më ka pëlqyer asnjëherë të them të drejtën, por megjithatë më bëhet qejfi kur takoj njerëz që më thonë që nëpërmjet artit tim dhe tekstet e mia i kanë ndihmuar në pika kyçe të jetës së tyre dhe kjo është një ndër gjërat kryesore se përse unë bëj art dhe shpreh më të vërtetë brendësinë që kam, sepse si unë mund të ketë shumë njerëz që kanë sakrifikuar në jetë dhe kjo për mua është suksesi më i madh që mund të ketë një artist.
Një e vërtetë e pazbuluar kurrë më parë është lidhur me këngën e tij ‘Mos thuaj më fal’ është se në fakt kjo këngë është një dedikim për një vajzë nga një histori e kaluar e Eugentit.
Është një histori si shumica e teksteve të mia që kanë të bëjnë me dashurinë. Unë jam një rob që flas shumë për dashurinë, dashuroj shumë por në të njëjtën kohë dhe urrej pak. Kjo është një histori dashurie, është një dashuri e lënë përgjysmë nga një person i cili nuk jepte aq sa duhej dashuri. Kështu që kjo i dedikohet asaj dashurie.
Pse artisti ka zgjedhur që të mos flasë asnjëherë lidhur me jetën e tij private në daljet publike?
Unë jam goxha i tërhequr nga intervistat edhe për faktin se, jo sepse nuk kam shumë për të thënë se mund të flas me orë të tëra për artin, për muzikën, por nuk arrij të flas shumë mirë për anën time personale, mbase nuk e kam bërë atë skanerin total të vetes time. Jam gjithmonë në kërkim psikologjikisht për veten time, kështu që përpiqem të jem më i tërhequr nga kjo anë dhe të shprehem vetëm nëpërmjet artit.
Ashtu si çdo artisti i ftuar në ‘A Live Night’ për të kuptuar më mirë formimin e Eugentit si artist dhe si njeri mbi të gjitha, ai na rrëfen momentet që kanë përkufizuar fëmijërinë e tij.
Fëmijëria ime ka qenë e qetë, kam qenë një djalë shumë i qetë. Majat kryesore që mbaj mend nga fëmijëria ime kanë qenë një kasetë e parë e ‘The Doors’ në moshën 10-vjeçare që më futi në rrugën e ‘rock-ut’, leksionet e para të kitarës në klasë të katërt a të pestë, hapja e e zemrës ndaj Zotit në moshën 11-vjeçare, koncertet në vogëli në shkollën e pionerëve, pra mes artit dhe atij djalit çapkën por të qetë. Familja ime, im atë më saktë kujtonte se ime më mund të bënte vetëm vajza dhe në fakt kur ime më ishte shtatzënë me mua, tallej gjithmonë dhe i thonte ‘mos u lodh kot se nuk e ke djalë e ke vajzë’. Duke qenë djali i vetëm pas dy motrave normalisht që kam qenë i llastuar edhe pse kjo gjë nuk më pëlqen fare me thënë të drejtën. Mendoj se kam marrë shpirtin e mamit dhe mençurinë e babit dhe këtë gjë e them me shumë krenari, unë i adhuroj prindërit e mi. Ngjashmërinë nga ana muzikore mendoj se e kam marrë nga të dy, pasi të dy kanë shpirt artistik. Familja ime e ka përkrahur gjithmonë duke pasur dhe shpirtin artistik vetë.
Artisti na zbuloi rrugën se si iu fut botës së muzikës dhe artit, duke na zbuluar se që prej fëmijërisë ka qenë pasioni i tij më i madh.
Që në moshën 10-vjeçare dëgjoja ‘The Doors’, pastaj u futa pak më thellë në muzikën ‘rock’, muzikën ‘metal’ me ‘Metallica’ e të tjerë. Kam qenë shumë i vogël, në moshën 14 vjeç regjistroja veten time me ato magnetofonat që kanë qenë asokohe. Zëri im ma shpifte të them të drejtën, pasi nuk ishin regjistrime profesionale. Kur më afrohet lideri i grupi ‘Sunrise’, i cili më tha ‘kam bërë një këngë që duhet ta regjistroj’ dhe arritëm të bëjmë një material bashkë me grupin ‘Sunrise’. Kishim një problem që mosha limit për të marrë pjesë te ‘Kënga Magjike’ në vitin 1998 ishte 16 vjeç dhe unë isha vetëm 14 dhe na u desh të sajonim një gënjeshtër të bardhë, të thonim që unë isha 16 vjeç që të futesha. Unë asokohe nuk e dija se çfarë ishte fama të them të drejtën, unë këndoja se më pëlqente të këndoja, më pëlqente të isha në skenë, e ndjeja të nevojshme të shprehesha nëpërmjet këngës. U deshën disa vite që unë të katapultohesha në artin profesional shqiptar sepse isha ende i paformuar, kisha thjesht një zë shumë të hollë, duke qenë se kërkesat për atë rrymë muzikore ishin që të kishe një zë qe shkonte lart. Katapultimi ka ardhur më vonë, pjekja artistike me kalimin e viteve ka bërë të vetën, deri në momentin që kuptova se muzika nuk ishte thjesht një pasion dhe këtë e them me shumë kënaqësi, u bë dhe punë pastaj.
E nëse nuk e dinit, si një student shumë i mirë në shkollë, Eugenti vazhdoi studimet për mjekësi jashtë, por ‘zemra e tij vazhdonte të rrihte’ për muzikën dhe artin dhe kjo gjë e riktheu sërish në Shqipëri.
Ka qenë im atë në fakt, po të kishte qenë për mua unë do kisha mbaruar Akademinë e Arteve tani, por pas mbarimit të shkollës 8-vjeçare, im atë më tha ‘mbaje muzikën ta kesh pasion, ta kesh si një as nën mëngë’, por duke qenë se isha dhe një ‘nerd’ në shkollë se studioja, e panë më të arsyeshme që unë të vazhdoja një gjimnaz të përgjithshëm dhe më pas studimet e mëtejshme për të cilat shkova në Bologna dhe u përpoqa që të ndiqja shkollën për mjekësi, u përpoqa. Italia ishte një vend shumë i vështirë për një 18-vjeçar që vinte nga Rrësheni. Arrita që me shumë sakrifica të bëja vetëm dy vite shkolle dhe duke qenë se frekuentimi ishte shumë i rëndësishëm në shkollën e mjekësisë dhe unë nuk kisha mundësi që të punoja, disbalanca ekonomike mes Shqipërisë dhe Italisë dihet si është, goxha më e madhe, kështu që më duhej dhe të punoja. Për shkak të influencës së artit, serish, pasi në Bologna m’u desh t’u angazhoja me muzikë, unë preferova që të ndjek zemrën, artin dhe të lë mënjanë shkollën. Gabim këtu për mendimin tim, por prapë jam këtu ku jam sot. Unë u ktheva nga Italia në vitin 2006, në fakt u ktheva sepse nuk mund t’i merrja më nga ana artistike dhe as nga ana akademike asgjë dhe po humbja kohë kot. Zgjodha të kthehem sërish që të vazhdoja ëndrrën e lënë përgjysmë në Shqipëri. Bëra një audicion në ‘Top Show’, të cilin e fitova dhe u bëra pjesë e ‘Top Show’, kështu që sërish muzika u fut në mes. Isha i lumtur që isha pjesë në një skenë profesionale si ajo e ‘Top Show’, ku isha pjesë për 11 vite. ‘Top Show’ më ka hequr fobinë e kamerave, i kam pasur shumë tmerr kamerat duke qenë se jam pak djalë i turpshëm. Më mësoi të tregoja se arti nuk është vetëm me të kënduar, duhet të jesh në skenë dhe të aktrosh pak, të jesh dhe pak i çiltër. Më ka mësuar jashtëzakonisht shumë eksperienca në ‘Top Show’.
Si një artist me A të madhe padyshim që Eugenti di më së miri se çfarë i mungon tregut tonë muzikor dhe për këngëtarin i gjithë problemi qëndron te tekstet.
Mangësia më e madhe e tregut muzikor veçanërisht në Shqipëri janë tekstet e mirëfillta. Sipas meje nuk ka muzikë të shëmtuar, tekste të shëmtuara ka pafund tregu shqiptar të them të drejtën. Nuk po flas që të jenë vetëm tekste filozofike sepse normalisht tekstet duhet të jenë edhe realiste. Duhet që teksti të përcjellë një ndjenjë. Edhe dhuna mund të jetë ndjenjë edhe rebelizmi mund të jetë ndjenjë, po jo ta reklamojnë diçka të tillë. Mos ta reklamojnë dhunën, të flasin kundër dhunës, të flasin për dashurinë. Tekstet shqiptare kohëve të fundit janë goxha të dhunshme dhe nuk po flas për fjalët e pista se gjithë bota i ka, po përdoren bukur ndërsa në Shqipëri përdoren shabllon, nuk ka një fije logjike brenda teksteve të tanishme shqiptare për mendimin tim. Unë kam zgjedhur që të bëj muzikën e cila me të vërtetë më buron nga shpirti, nuk do arrija dot kurrë që të komercializoja muzikën time për arsye përfitimesh vetjake, monetare ose fame e të tjerë, sepse nuk bëj dot kompromis me artin tim dhe për fat të mirë që e kam këtë gjë brenda vetes.
Artisti ka qenë disa herë pjesëmarrës në Top Fest, duke treguar se prej atje ka disa nga projektet e tij më të mira, pasi e vlerësonte shumë si kompeticion muzikor në tregun shqiptar.
Unë kam marrë pjesë vetëm në Top Fest për shumë vite me rradhë, sepse ishte për mendimin tim dhe vazhdon të mbetet për mendimin tim një nga organizimet më inovative dhe moderne duke qenë se me të vërtetë e cilësoja muzikën time, megjithëse kishte tipare ‘old school’ e konsideroja që e kishte në vete dhe modernen. I vetmi vend në të cilin, e para ndihesha si në shtëpi dhe e dyta, sepse mendoja se ishte i vetmi kompeticion që vlente që të merrja pjesë. Duhet të kisha kompozuar pak më shumë, por për fat të mirë që kam pasur ‘Top Fest-in’ që kemi dhe këto këngët sot.
Cilat janë dy pikat më kulminante të jetës së tij, çfarë pritet të sjellë në të ardhmen dhe eksperienca në Eurovision, na i zbulon vetë Eugenti.
Jam i lumtur deri diku me gjërat që kam arritur në karrierën time, kam pasur mundësi të bëj më tepër, por kam lënë kohën që të kaloj kot, duke qenë se jam shumë detajist, sidomos në artin që bëj. Duhet të merresha më pak me detajet dhe të kompozoja më tepër, por kam pika si puna e Eurovisionit, si puna e një projekti që kam tani jashtë Shqipërisë me një grup zvicerian që quhet ‘CoreLeoni’ . Këto janë me të vërtetë dy pikat për të cilat ndihem krenar. Eurovisioni ka qenë një periudhë goxha stresuese të them të drejtën për mua si Gent, për pjesëtarët e tjerë të grupit ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Kishim një mbështetje që vinte me pikatore, më është dashur të bëj skenografinë vetë, vendosjen e pjesëtarëve të grupit në skenë, kur do ndizen dritat, a thua ti RTSH nuk ka pasur as skenograf as asgjë. Më është dashur të merrem nga A te Zh me të gjitha gjërat, por shpresoj të kem dal mirë. Mendoj se është një pikë kulmore e artit tim. Patjetër që pamja ka rëndësine e vet, mos të them që është 50% i artit në skenë, kështu që përpiqem deri diku me aq sa kam mundësi ta mbaj pak veten dhe të flirtoj me kamerën, kjo ndoshta më ndikon me vajzat, nuk qahem (qesh).
E për krijimet e tij aq të bukura, nga ku frymëzohet artisti?
Krijimet e mia vijnë të pakontrolluara, mund të jem shtrirë, më vjen një spunto dhe mund të rri zgjuar gjithë natën, nuk të pyet kur të vjen. Përgjithësisht, krijimet e mia më kanë ardhur si ‘flash’. Gjithçka që ka të bëjë me ndjesinë e brendshme timen, me diçka që shoh në rrugë, diçka që më bën përshtypje. Gjithë ambienti rreth e rrotull një artisti është një influencë shumë e madhe për kompozimet. Kur kam qenë i dashuruar kam bërë këngë, kur jam ndarë, kam bërë këngë për mallin për babin tim kur u nda nga jeta, e cila nuk ka dalë ende si këngë, kam bërë këngë për mallin kur kam qenë larg familjes time. Janë në përgjithësi të gjitha ndjesitë që kam gjatë gjithë kohës.
Një fakt që Eugenti zbuloi dhe rrëfeu në mënyrë shumë të sinqertë për herë të parë në ‘A Live Night’ është ‘gabimi më i madh i jetës së tij.
Pas Eurovison kisha dy plane ose do merresha me një album ose me një biznes dhe unë nuk jam tip që mund të hap biznese dhe e kam marrë vesh vonë. Një ndër gabimet më të mëdha gjatë karrierës time ka qenë hapja e një biznesi ku unë performoja, ishte më shumë një diçka për të afruar njerëzit afër vetes, por që nuk shkoj ashtu si duhej. Më mori energji të tepërta, më la pa kompozime të reja edhe pse kisha përballjen e publikut, merrja ngrohtësinë e publikut javë për javë, por nga ana tjetër, nga pikëpamja artistike e të bërit art më la shumë mbrapa. Kështu që, një nga gabimet më të mëdha të jetës time kjo mund të ketë qenë. Ka ndodhur para 3 vitesh dhe unë që mendoja se isha i pjekur (qesh).
E lidhur me të atin e tij të ndjerë, Eugenti tregoi se para se të largohej nga jeta gjithmonë i jepte një këshillë shumë të vyer.
Im atë ka qeë një person shumë i shkolluar, ai gjithmonë më thonte ‘mirë e ke talentin, por çfarë do bësh me këtë talent që ke, e rëndësishme është të lësh një trashëgimi.’ Dhe mbaj mend që vitet e fundit të jetës së tij ai shkruante shumë, e mbaj mend tim atë me një fletore shënimesh dhe vitet e fundit publikoi dy libra dhe më thonte gjithmonë ‘njerëzit do të mbajnë mend veprat e tua, pra mundohu të lësh një trashëgimi të njerëzit e tjerë, sepse kjo e lë më gjatë emrin tend përballë publikut’. Këtë gjë e kam si shtyllë kryesore.
Çfarë e bën të lumtur Eugentin?
Më bën të lumtur të kem rreth vetes njerëzit që dua më shumë, t’i kem me shëndet, pra të lumtur më bën të rrethohem nga njerëzit që dua.
Por, si një artist shumë i madh, Eugenti na rrëfen dhe vështirësitë që ka rruga e artit.
70% punë, 30% talent, pa futur dhe disa gjëra të tjera që janë mosabuzimi që përgjithësisht rokerët e kanë, por mendoj që talentin Zoti ta jep, por duhet të punosh për të. Kam përshtypjen se një artist i mirëfilltë nuk gjen asnjëherë paqe me veten, është gjatë gjithë kohës në kërkim të paqes me veten e tij, deri në momentin që vendos të mos bëj më art. Një artist i mirë është një artist që është në luftë me veten gjatë gjithë kohës. Jeta e artistit është shumë e vështirë dhe nuk është nga ana fizike, por nga ana psikologjike. Për mendimin tim një artist lufton me depresionin, lufton me mendimet e tij, lufton me faktin që nuk arrin t’i shprehë si duhet mendimet e tij. Unë vazhdoj të kem akoma emocione pas 20 e ca vitesh në skenë, madje më janë shtuar. Është gjithmonë një luftë psikologjike me veten, është shumë e vështirë per ta duruar, mos t’ju duket se puna e artistit është e lehtë se është shumë e veshtirë.
Nëse ka një arsye se përse Eugenti përflitet në portale është për shkak të muzikës dhe artit të tij dhe kurrë për thashetheme apo skandale, por pse është pikërisht kjo zgjedhja e artistit?
‘Gossip’ që nuk kanë lidhje me muzikën, të them të drejtën nuk më pëlqejnë shumë. Arti shpreh veten për mendimin tim, këto thashethemet për ku drekova, ku dola, ku isha nuk më kanë terhequr ndonjëherë se kjo është një reklamë jo artistike. Megjithëse jetojmë në kohët moderne, njerëzit e famshëm e bëjnë, sepse duan të jenë sa më afër me publikun, por në Shqipëri mendoj se është pak e bastarduar. Nuk do e bëja dot kurrë. Genti jashtë skenës është një djalë shumë i turpshëm. Mund të dukem arrogant, po ajo arroganca është një mur mbrojtës mes meje dhe rrethit social. Genti në skenë është Genti rebel, janë dy anë të kundërta të medaljes.