I ftuar në emisionin “Lancio” me Erma Mici ka qenë artisti Algert Sala. Ai është një kantautor shqiptar i lindur në Tepelenë, më 25 dhjetor 1995. Ai studioi muzikë në konservatorin e qytetit të Vlorës ku mori diplomën e shkollës së mesme për kanto. Algerti filloi hapat e tij në karrierë duke marrë pjesë në konkurse muzikore si “X Factor Albania” dhe “The Voice of Albania”.
Në vitin 2016 ai bëri paraqitjen e tij të parë në konkursin televiziv “Kenga Magjike 2016” me këngën e tij “Buzë” dhe një vit më pas në 2017 u rishfaq në të njëjtin konkurs me “Je Penduar”. Kënga mori shumë kritika të mira nga juria dhe zuri vendin si “BIG ARTIST”. Pas një pauze, ai vazhdoi të shkruante dhe prodhonte shumë këngë si “Vigan”, “E Humbe”, “A je”, “Hold me now”, “Kameleon” dhe së fundmi “Asgjë”.
Gjatë këtyre 12 viteve eksperiencë në industrinë muzikore, çfarë do t’i thoshte ai vetes së tij në fillimet e para?
Do t’i thoja që ke bërë mirë, sepse akoma edhe sot e kam pasion muzikën, edhe gjithashtu po realizoj deri diku ëndrrat e Algertit të vogël dhe gjithashtu edhe të Algertit të madh që është sot në moshë.
A ka pasur ndonjë ëndërr që ‘Algertit të vogël’ ende nuk ja ka realizuar?
Është akoma në proces. Jemi ende tek muzika dhe jemi në rrugë të mbarë.
Algerti është gjithashtu edhe tekstshkrues, diçka që është mjaft pozitive për një artist. Si ndihet ai kur shkruan një këngë të re?
Qëllimi im është të zbras atë që ndjej. E kam si terapi më shumë pjesën e tekstit që krijoj dhe përsa kohë unë arrij të lirohem mendërisht dhe spiritualisht nga gjëja që krijoj, them që kjo është diçka e mirë. Jam 100% vetja në atë që bëj dhe përsa kohë, mua të parit më shijon dhe më pëlqen si material, aty janë pikët e para që them ‘po, mund ta nxjerr’.