E ftuar në emisionin e sotëm të “Ndryshe” me Salsano Rrapi dhe Elona Duro ka qenë artistja e mirënjohur Elvana Gjata. Në këtë intervistë ekskluzive, ajo na ka zbuluar më shumë detaje rreth jetës së saj private, rolit si aktore në serialin “Tenxherja Kapakun” dhe projektet e tjera që e presin.
Fakti që kemi përmendur fjalën ‘ekskluzive’ është pikërisht se Elvana shfaqet shumë rrallë në intervista dhe nuk shprehet shumë për jetën e saj personale, por në këtë episod ajo u jep përgjigje shumë pyetjeve. Një prej tyre është pikërisht kjo, përse ajo është bërë e ‘pakapshme’, siç e përshkruajnë disa ndjekës? Ja se si përgjigjet ajo:
Nuk është se unë jam e paprekshme apo e pakapshme. Të paktën jo me qëllim, por kush më njeh e di. Edhe ti e di që unë jam shumë ‘workaholic’ (e dhënë pas punës). Kështu që e dua shumë këtë që bëj. E dua me gjithë zemër, edhe kur bëhet e lodhshme prapë e dua. Edhe më pëlqen shumë që të përfshihem në çdo proces të çdo projekti tim, çfarëdo lloji qoftë. Ndoshta kërkoj e kërkoj atë maksimumin dhe derisa të sigurohem që ka dalë më e mira, atëherë jam e qetë që të dalë edhe pse nuk mjafton asnjëherë.
Pra, për të gjithë ata që nuk e kanë ditur, prioriteti kryesor i Elvanës është puna dhe vetëm puna. Edhe aryesja përse ajo zgjedh të dalë në intervista më rrallë është për shkak të angazhimeve. Ndaj, këtë herë zgjodhi “Ndryshe”.
Kur e bëj një intervistë dua që të sigurohem që të jetë një bisedë e lirë, të jetë një energji e mirë dhe pozitive, pa shumë pompozitet.
Prej shumë vitesh karrierë tashmë, ajo njihet si diva e muzikës shqiptare dhe dallon nga këngëtaret e tjera për zërin e veçantë, stilin e saj dhe si këngëtarja që ka sjellë revulucion në industrinë muzikore shqiptare. Si ndihet Elvana për këto arritje në karrierën e saj?
Patjetër që ndihem shumë e realizuar dhe e lumtur. Nuk diskutohet, por në të njëjtë kohë kjo më jep një përgjegjësi shumë të madhe edhe më frymëzon që të bëhem edhe më shumë. E mira nuk ka fund.
Cilin moment të karrierës do të veçonte ajo?
Unë çdo moment do ta quaja një gur të çmuar në karrierën time artistike, sepse çdo derë që më është hapur apo më është mbyllur, për çdo mundësi që më është dhënë apo marrë, pavarësisht si jam ndjerë e lumtur apo e lënduar, për të gjitha këto unë jam mirënjohëse dhe janë të shtrenjta për mua, sepse këto kanë shtruar rrugën dhe kanë formuar atë që unë jam sot.
Gjatë intervistës u përmend edhe mbështetja e saj më e madhe në këto hapa, i cili është Andi Gramo. Ai ka qenë me të në çdo hap, ku përmendim këtu pikën më kulminante që ishte realizimi i koncertit “Dekada” në vitin 2023 dhe vazhdon të krijojë gjëra të bukura me të. Cilat priten të jenë projektet e radhës?
Nuk është një, janë shumë. Shumë. Shumë…
Siç edhe e lartpërmendëm, ajo momentalisht është duke realizuar serialin “Tenxherja Kapakun”, ku është aktore protagoniste së bashku me Romeo Veshaj. Kjo nuk është e vetmja eksperiencë e saj në aktrim, pasi Elvana ka luajtur edhe në projekte të tjera kinematografike. Shumë veta janë skeptikë për pjesëmarrjen e saj në këtë industri, por rikujtojmë se ajo ka mbaruar studimet e larta në deepartamentin “Regji”. Mendon Elvana se do të kishte qenë më e suksseshme nëse do të zgjidhte aktrimin si profesion të parë?
Patjetër, muzika është profesioni im. Thjesht aktrimin nuk e bëra dot atëherë kur doja. Në fakt, unë mbarova shkollën dhe më pëlqente shumë. Në shkollë kam qenë shumë aktive. Më pëlqente shumë që ta zhvilloja, por nuk pata asnjë propozim në fakt. Të gjithë profesorët thonin ‘aktore e shkëlqyer’, por nuk pata ndonjë propozim të mirë. Nuk pata derisa triumfoi Ermali, se Ermali ishte ai që më shtyu i pari të bënim film. Edhe unë atë. Kështu që mendoj që patjetër me muzikën, aktrimi im kam marrë një shtrirje më të madhe. Patjetër që po.
22 qershori 2023 ishte dita më e rëndësishme për Elvana Gjatën, e cila mbajti koncertin e parë recital në stadiumin Air Albania. Këngëtarja organizoi koncertin “Dekada” që mbldhoi mijëra dashamirës të muzikës së saj në stadium dhe rezultoi një sukses i padiskutueshëm. Elvana shkriu në skenën gjigante, të ndërtuar në stadium me efekte dhe grafika të veçanta, karrierën e saj 20-vjeçare. Gjatë dy dekadave në tregun muzikor shqiptar, artistja ka marrë dashamirësinë e mijëra njerëzve që i dëgjojnë dhe këndojnë këngët e saj. Duke folur rreth kësaj eksperience, Elvana shtoi:
Kjo ka qenë ëndrra ime në sirtar, që të kem mundësinë edhe unë të këndoj në një stadium këngët e mia me publikun të gjithë një zëri. Kjo ka qenë ëndrra në sirtar që literalisht u bë realitet. Do të mbetet patjetër një nga kujtimet më të bukura të jetës sime. Një projekt shumë gjigand me skenografi, kostumografi, koreografi e të gjitha. Emocione të papërshkrueshme. Nuk do t’i harroj asnjëherë ato fytyrat e njerëzve plot emocion e plot gëzim dhe me të vërtetë do të jetë e paharrueshme për mua. “Dekada” u desh që të bashkohen të gjithë yjet bashkë them unë, sepse ka një kohë për çdo gjë dhe u bashkuan të gjithë yjet bashkë që të ndodhte kjo gjë. Duke filluar që nga Albi Çifligu me Kostën edhe me stafin e Kuadër, që me profesionalizimin e tyre kanë qëndruar pranë meje si miq dhe kanë bërë atë që duket e pamundur, e kanë bërë të mundur. Kanë punuar me plot zemër. Edhe Ledion Liço që të ngroh me ato fjalët e tij, kështu si diell. Edhe me atë artin e vizionin e tij. Unë ende kur e shikoj në YouTube koncertin mbetem pa fjalë, sepse nuk ka asgjë më pak sesa ‘show’ i një artisti botëror i skenave ndërkombëtare. Patjetër pastaj edhe Alban Male qëka punuar shumë, siç e the edhe ti me të gjithë komcertin live. Ola dhe Esdalini me koreografitë e tyre aq të bukura. Elva me kostumografinë. Patjetër edhe Valdrini që është gjithmonë pranë meje në çdo projekt.
Ajo çka surprizoi edhe prezantuesit ishte se në fund Elvana shtoi:
Ky stadium nuk do të jetë i fundit.
Gjatë gjithë karrierës së saj, ajo është përballur me lajme dhe thashetheme nga më të ndryshmet, ku shumica kanë qenë të sajuara për të ulur figurën e saj. Si reagon ajo ndaj tyre? Elvana Gjata ka një përgjigje për të gjithë ata që kanë cënuar hapësirën e saj dhe kanë shpikur gjëra të pavërteta:
Përtej shakasë dhe faktit që unë kam mbajtur të njëjtin qëndrim që në fillimet e mia, sepse kam dashur gjithmonë që puna të flasë për mua. Më duhet të them që kohët kanë ndryshuar. Në momentin që çdo gjë ka kaluar në platformat online, rrjetet sociale, ka plasur një luftë lojë numrash, klikimesh, komentesh, opinionesh. Patjetër që është në rregull që të japësh opinionin tënd, por kjo nuk do të thotë që ke të drejtë. Për shembull për mua nuk më bën çudi asgjë dhe nuk çuditem kur shikoj lajme me romancë në momentin kur bëj një kërcim në skenë me Ylli Limanin, apo në momentin kur jam në film “2 Gisht Mjaltë” me Ermalin, apo me seriaalin me Romeon. Por nuk do të thotë që unë tani do të reagoj gjithmonë, sepse realisht i bie që të merrem vetëm me këtë punë dhe të lë gjërat e tjera.
Më tej, ajo shtoi:
Fakti është që të thuash të vërtetën sot është çmenduri në një botë plot me gënjeshtra. Sot e vërteta mbulohet me mijëra gënjeshtra. Është e trishtë kur ti shikon një lajm që promovohet dhe riprodhohet nga një mijë portale të tjera dhe nuk i gjendet më as fillimi dhe as fundi. Në fakt këtë do ta quaja një gënjeshtër të madhe. Ne kemi atë shprehjen tonë që gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por në kohët që jetojmë gënjeshtrës i janë zgjatur shumë këmbët. Unë jam sulmuar me lajme të rënda do thoja, të pavërteta. Jo vetëm të pavërteta do thoja, por jashtë çdo llogjike dhe sensi, por kjo mua nuk më ka bërë që të ndalem dhe fakti që nuk kam reaguar nuk do të thotë që kam qenë indiferente, por kam zgjedhur të punoj me të gjithë forcat e mia.