Sot në emisionin “Live from Tirana” në Top Albania Radio ishte e ftuar në studio Besa Kokëdhima. Këngëtarja e njohur është një figurë mjaft e dashur për tregun muzikor shqiptar. Shumë këngë të saj janë shndërruar në hite dhe janë pëlqyer mjaft nga publiku.
Duke qenë se jemi në sezon festash, si është duke i përjetuar Besa këto ditë?
Unë që fëmijë kam një lidhje shpirtërore me këtë periudhë të vitit sepse përbrenda meje ka gjithmonë një fëmijë që adhuron zbukurimet, atmosferën e festave, bashkimin familjar, të ndihmuarit, të dhënit dhe të marrit dashuri.
E pyetur rreth albumit të saj “Ti je festa ime”, Besa tregoi:
Edicioni i parë, “Besa për festat”, ka dalë në 2013 dhe në 2015 ka dalë i dyti, “Ti je festa ime” që është përmbledhja, e kam në plan të bëjë një cikël të tretë të albumit. Doja ta bëja sivjet, por kam bërë një album në Francë dhe nuk pata mundësi të kapja kohën.
Si do të na vijë Besa në vitin 2022?
Kam 2 vjet që kam punuar, kam realizuar albumin e ri me artistë të njohur në Francë, gjysmë frengjisht, gjysmë anglisht. Kemi xhiruar dhe klipin e parë dhe tani kemi çështjen e lançimit në raport me problematikat e turneve.