Pas një periudhe shumë të gjatë mungese, jemi të lumtur që Klodiana Vata tashmë i është rikthyer projekteve muzikore. Gati një muaj më parë, ajo solli “Justifikime”, këngën që e risolli në “The Top List” pas gati 3 vitesh pauze.
E tashmë Klodiana ka sjellë këngën e saj të dytë. Ashtu siç dhe kishte paralajmëruar në një intervistë për Top Albania Radio, projekti i saj i radhës do të ishte dedikim për një person shumë të rëndësishëm në jetën e saj.
E kështu ndodhi! Klodiana ka sjellë “Jetë”, këngën e saj më të re, që i dedikohet pikërisht nënës së saj, e cila ka fituar betejën me kancerin e gjirit.
Ky projekt lidhet ngushtë me Tetorin Rozë, muajin e ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit. Klodiana ka ardhur me një mesazh special me këngën “Jetë”:
“Jetë” është një këngë që i dedikohet mamasë time, e cila ka fituar betejën me kancerin e gjirit. Forca dhe energjia e saj më frymëzojnë çdo ditë dhe kjo këngë është reflektimi i rrugëtimit të saj. Me këtë projekt japim mesazhin për të gjitha gratë që t’i japin prioritet shëndetit të tyre dhe të bëjnë kontrollet e rregullta. Zbulimi i hershëm shpëton jetë. Për këdo që po lufton me këtë betejë dhe këdo që ka një njeri të afërt që ka kaluar ose kalon në këtë rrugëtim, dijeni se nuk jeni vetëm. Së bashku mund t’ia dalim!