Një artist që prej vitesh vazhdon të mbetet në këngëtarin më të dashur për publikun shqiptar. Bojken Lako, i cili gjithmonë është pranë muzikës, ka publikuar dy këngë të reja, të cilat kanë surprizuar publikut. Paksa ndryshe në stil muzikor por fansat kanë mirëpritur këtë ndryshim të Bojkenit dhe këtë e tregon më së miri interesi që ata kanë shprehur tek këngët e tij, të cilat janë futur menjëherë në “The Top List”. “Dance on the ëeekend” dhe “Home” janë renditur përkatësisht në vendin e 17-të dhe 43-të.

Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, Bojken shpjegoi arsyen pse ka vendosur të vijë paksa ndryshe në muzikë.

TA: Jeni rikthyer jo vetëm me një por dy projekte muzikore, sa kohë të është dashur për realizimin e tyre

Bojken Lako: Është fryt i një pune disavjeçare por ky është vetëm fillimi i publikimeve sepse do të publikoj një herë në muaj diçka. Kënga “Home” nga Paradox ka një vit si ide por tani erdhi koha e publikimit. Gjithashtu edhe “Dance on the ëeekend” ka rreth dy vjet që e kam krijuar si ide por ky produksion tani u bë i mundur . Të dyja nëpërmjet bashkëpunimit me disa producentë të rinj që punojmë bashkë për rrjetin Bulza. Konkretisht Contraband Gotti dhe Andi Lazaj nga Paradox.

TA: “Dance on the Weekend” dhe “Home”, na zbulo diçka më shumë për këto projekte, cilës rrymë muzikore i përkasin?

Bojken Lako: “Dance on the Weekend” është një këngë “Retro Dance Alternative Pop”, video e të cilës është realizuar nga artisti vizual Gentian Shkurti, i cili ka realizuar edhe videon “Merre lehtë” dhe “Lot jetë dashuri” nga repertori im ndër vite.

TA: Pse vendosët që në këtë këngë të përfshinit edhe muzikën folklorike shqiptare?

Bojken Lako: Motivi në përgjithësi është një kënaqësi e imja ashtu si tek “Merre lehtë”, “Bio”, “Harmoni në Sky”. Ka shumë këngë te miat tek të cilat përshtas motive folk. Mendoj se gjithësecili nga ne i ka shumë afër me ndjesitë e tij. Tek kjo këngë është pak më specifike sepse motivi duket si nga Jugu i Shqipërisë dhe duket sikur i ngjan ndonjë këngë popullore por realisht është një miks shqiptar veri-jug. Gjithëpërfshirës…

TA: Jeni larguar paksa nga zhanri muzikor që ju karakterizonte, pse kjo zgjedhje?

Bojken Lako: Pasi kalova 25 vjetorin e krijimtarisë time në fund të 2018-ës mendova që kjo pjesë e jetës sime do jetë më e lirshme përsa i përket formës së mizikës. Dua të publikoj atë që më vjen për të kompozuar dhe për të kënduar. Atë që më jep kënaqësi pa llogaritur rrymën, mund të jetë “pop dance”, “rock metal” apo “hip hop” dhe “popullore”. Në fund të fundit jam rritur duke dëgjuar çdo lloj artisti.

TA: Çdo të thotë për ty të jesh pjesë e “The Top List”?

Bojken Lako: Që jam pjesë e “The Top List” më motivon më shumë dhe besoj që jam më afër publikut që besoj se do i presë mirë këto publikime të miat të ndryshe.