“A Live Night” erdhi këtë të diel me një nga artistet padyshim më të dashura të publikut. Jo vetëm për muzikën dhe artin e mirë që sjell, por Kejsi Tola ka ruajtur gjithmonë një imazh shumë të pëlqyer nga audienca prej vitesh. Këngëtaren e kemi parë shumë rrallë në dalje televizive apo intervista, ndaj kjo e mbrëmjes së sotme ka rrëfime shumë speciale dhe të padëgjuara më parë nga artistja. 

Para pak ditësh ajo prezantoi albumin e saj më të ri “Luminuos”, i cili u promovua me një koncert inovator mes miqsh dhe personalitetesh të medias dhe muzikës. Të pesë këngët janë tashmë ndërkombëtare nisur edhe nga vetë prodhimi i tyre. Ato janë prodhuar në Francë, Itali dhe Spanjë. Por si nisi i gjithë ky projekt?

Ky është një projekt që ka nisur dy vite përpara, më saktë gjatë pandemisë dhe para pandemisë sapo kishin filluar ato fjalët e para që ka diçka që nuk po shkon mirë, ishte një moment që po mundohesha të kuptoja çfarë duhet të bëja me karrierën time, çfarë muzike duhet të ndiqja, si duhet të vazhdoja dhe bëra ato kërkimet e mia, pandemia më dha kohën e duhur për të reflektuar. Ka qenë një mesazh në Instagram, mesazhi që i çova Charlie Walk nga aty ka filluar. Nuk e prisja kurrë që do të më kthehej përgjigje por e provova. U nisa bëra gjërat gati dhe u gjenda në Paris në një vilë në periferi, shumë afër Versajës dhe u gjenda me ndoshta 15 njerëz që nuk i njihja fare dhe ishin të gjithë producent me të cilët punuam. Këngët e mija të para mund të them ndërkombëtare. Mendoj që të gjitha këngët që janë krijuar si në kampin e Parisit po pastaj të Romës dhe Barcelonës më pas secila prej tyre do të mbajë aromën e asaj vile, do të më kujtojë gjithmonë ndjesinë e asaj dhome, ndjesinë e atyre ‘beat’-eve, ndoshta ndjesinë më të bukur në të gjithë karrierën time sepse kam krijuar atë që unë doja të krijoja dhe isha vetë aty dhe kam qenë vetë pjesë e secilës qelizë të secilës prej këngëve që janë krijuar për mua.

Për cdo vajzë që aspiron të bëhet këngëtare si arriti Kejsi të bashkëpunonte me këta artistë të njohur globalisht dhe të siguronte qoftë një session në Abbey Road Studios?

Të bashkëpunosh me këta njerëz, të ndjesh energjinë e tyre dhe të kuptosh mënyrën se si ata punojnë, të dëgjosh historitë e tyre se si kanë arritur të jenë ata që janë dhe ndonjëherë për mua ndoshta përpara se ti takoja ishin si të paprekshëm. 

Në moshën 15-vjeçare Kejsi fiton Ethet, por publiku arrin të shohë vetëm njërën anë të medaljes. Çfarë nuk arritëm të shihnim ne nga eksperienca e Kejsit?

Kisha qenë një fëmijë shumë i çiltër, i dashur dhe pastaj ndodhi diçka në adoleshencën time që përkoi me “Ethet” që çdo gjë sikur u mbylla në atë guackën time por në të njëjtën kohë isha në momentin tim më të bukur të fillimit të karrierës sime si një këngëtare e rritur. “Ethet” kanë qenë shumë të frikshme në qoftë se duhet ti quaj kështu momentet e para të përballjes me jurinë me njerëzit që më rrethonin, me faktin që isha në një televizion aq të madh si Top Channel, provat, kisha përballë njerëzit më të famshëm dhe më profesionistë të televizionit dhe kjo gjë mendoj që e kuptoja më friksonte por pastaj ishte shumë e bukur kur ti kuptoje që po bëheshe dalëngadalë një prej tyre dhe kjo gjë pastaj të dukej surreale, që ti dilje në rrugë dhe njerëzit të shikonin si idhull, të përqafonin, të kërkonin autografe ndërkohë që vija nga një botë që patjetër isha mësuar me skenat por ai moment ka qenë shumë i bukur dhe jo real herë pas here. Mund të them që e kam shijuar pafund sepse kur dilja në skenë më dukej sikur nuk mbaja mend më asgjë dhe sikur më fshihej, kisha një dritë të bardhë përballë syve të mi dhe nuk shikoja më nga publiku mundohesha të kërkoja mamin dhe babin në skenë ose njerëzit e afërt nuk i shikoja fare dhe e kam kështu si të veshur atë pjesën e momentit kur ti del në skenë dhe këndon. Mendoj që momentet e provave dhe ‘backstage’-et e Etheve dhe fakti që kemi qenë të gjithë konkurrentët bashkë dhe patjetër sa herë që rikthehesha tek Piramida në Top Albania Radio sepse ne kemi kaluar shumë kohë në studiot e TAR më riktheheshin të gjitha kujtimet e të gjithë ditëve që kemi kaluar atje dhe provat kanë qenë momentet më të bukura të Etheve do ta thoja kështu, pavarësisht se okej ishte momenti që fitova dhe ishte e gjithë kjo magjia e të qënit fitues i një kompeticioni por unë mendoj që magjia e gjithë spektakleve të bukura është në backstage. 

A ka menduar ndonjëherë Kejsi Tola që të heqë dorë nga muzika ose të shkëputet?

Dhe të dua unë ta lë muzikën nuk besoj që muzika do të më lërë mua sepse jam lidhur me të në çdo fazë të jetës time që fëmijë dhe deri në faktin që jam diplomuar për Kanto dhe në diplomën time shënon këngëtare. Nuk do ta lë kurrë muzikën sepse e di që ajo nuk do të më lë kurrë mua.

Gjatë kohës që u përfol në media një histori dashurie mes Kejsit dhe Flori Mumajesit, dukshëm Kejsi mori më shumë vëmendje mediatike. A ndodhi kjo për shkak se asokohe kishe një ndryshim në prodhimtari ose stil apo ndodhi për shkak se ndonjëherë një femre i duhet prezenca e një mashkulli të fuqishëm për t’ja dalë në industrinë e muzikës?

Flori mendoj që është një nga njerëzit më të talentuar në industrinë e muzikës në Shqipëri dhe prandaj ka qenë edhe aryseja që kam trokitur në derën e tij dhe kam kërkuar që të kem muzikë prej tij. Ne kemi një gjë që na lidh shumë fort dhe ajo është muzika e mirë, e bukur. 

Më pas ajo shtoi se:

Çdo vajzë ka shumë mbështetje sepse ka mbi të gjitha veten e saj me vete. Nuk mendoj që duhet të ketë dikë në krahë por mendoj që një vajzë patjetër mund t’ia dalë vetë, me hapa të vogla të sigurta me shumë ulje-ngritje ama mjafton që të mos humbasë veten e saj në të gjithë këtë rrugë. Momentin që i qëndrojmë besnik vetes tonë në atë moment kemi fituar çdo gjë. Kam pasur pasiguri vetëm shumë pak momente kur kam qenë në adoleshencë sepse ndoshta kam qenë e papjekur, nuk kuptoja se çfarë më duhej dhe doja. Mendoj që njeriu kur rritet kupton veten e tij dhe e di se çfarë do dhe se cila është e mirë për të pavarësisht që këtë nuk e ndan dot asnjëherë se kush është më e mira apo çfarë është më e mira për ty. Kam kuptuar veten time dhe mendoj që në momentin që ne arrijmë të kuptojmë veten tonë pastaj pasiguritë mendoj që thjesht menaxhohen sepse do ti kemi aty gjithmonë. 

Fill pas Etheve Kejsi përfaqëson Shqipërinë në një nga kompeticionet më të rëndësishme për muzikën siç është Eurovision-i. Artistja u rendit e 17-ta. Si e përballoi përgjegjësinë e të përfaqësuarit të Shqipërisë në Eurovision?

Kur kam dalë në skenën e Eurovisionit në provën e parë gjenerale dhe salla ka qenë e mbushur plot thjesht kam qenë e mpirë por me punën e madhe që kisha bërë pas sepse për mua ka qenë një moment ‘black-out’. Do të kisha dashur shumë ndonjëherë që Eurovisionin ta kisha jetuar pak më vonë sepse patjetër ndoshta do të kisha kuptuar më tepër se çfarë do të thotë të përfaqësosh vendin tënd në një kompeticion aq të rëndësishëm. Do të kuptoja shumë më shumë se si ta trajtoja skenën në të cilën ndodhesha por prapë jam shumë e lumtur që gjërat kanë ndodhur kështu.

Kur e ka ndjerë veten Kejsi Tola për herë të parë të suksseshme dhe cili është përkufizimi i suksesit për të si artiste?

Suksesi për mua është dashuria e publikut por ndonjëherë edhe kritikat e publikut. Në momentin që ka dashuri ka edhe kritika që nuk e tejkalojnë atë ndjesinë e dashurisë dhe mendoj që ky është suksesi për një artist. 

Çfarë shërbeu si fitil inspirimi për Kejsi Tolën si fëmijë?

Inspirimi kur je i vogël është pak i çuditshëm mendoj nuk është ndonjeherë aq i prekshëm, ty gjithmonë të duket si shumë i largët një njeri që ti sheh dhe të inspiron kur je i vogël por në qoftë se do të flasim për një inspirim për të ndjekur një karrierë muzikore dhe nëse flasim në këtë prizëm unë mendoj që ka qenë mami im inspirimi që të merrem me muzikë, është ajo që më ka dhënë frymën e melodive të para, ajo më ka kënduar e para sepse këndon shumë bukur dhe mendoj që ajo ka qenë motivi i parë i imi.

Çfarë mban mend nga fëmijëria artistja dhe cilat janë ato kujtimet që do ta shoqërojnë përjetë?

Shtëpia ime ka qenë shumë afër detit dhe ato janë kujtimet më të bukura që mund të kem me prindërit, babain tim, mamin, motrën. Kanë qenë të tre shumë të fokusuar tek unë dhe madje duke qenë se unë jam fëmija i parë në familje, jam goca e madhe ndonjëherë mendoj që kanë qenë pak më shumë të përkushtuar ndaj meje dhe ndaj faktit që unë merresha me muzikë, kisha gjithmonë koncerte, lëvizje dhe gjithmonë do të bëhesha gati për diku. Ishin mbas meje, të tre më kanë suportuar jo vetëm me pjesën materiale në qoftë se mund ta quaj që kanë qenë me mua kudo po ata kanë qenë mbështetja ime më e madhe të tre. 

Besoj që gjithmonë sa herë që kujtoj fëmijërinë më kujtohet rrugica e shtëpisë sime, më kujtohet ajo shtëpia jonë e vogël dhe deti që e kishim aq afër. Ajo aroma e detit edhe e vërtetë kështu sa herë që mundohem të përfytyroj një kujtim të bukur nga fëmijëria nuk do të thoja vetëm një moment të caktuar por do të thoja deti.


Kejsi ka zbuluar se një nga ëndrrat e saj që ka dashur të realizohet ka qenë:

Kam ëndërruar shumë gjithmonë e vogël si 5, 12 apo 20 vjeç që mund të kisha qenë një këngëtare ndoshta me fatin që të jetoja në një vend si Amerika dhe ndoshta gjërat do të kishin qenë më të thjeshta por që do të mundesha edhe nga Shqipëria të arrija këtë gjë nuk do ta kisha besuar kurrë.

Çfarë e bën Kejsin krenare tek vetja?

Krenare tek vetja më bën fakti që jam munduar të jem gjithmonë ajo që ndjej se duhet të jem dhe nuk jam munduar kurrë të ndryshoj limitet e mia, fokusin tim, apo për hir të situatave të jashtme. Jam munduar gjithmonë që të jem vetja ime pavarësisht se njerëzit kërkonin më shumë nga mua gjithmonë, më thonin “Qeshu pak, lëviz pak…” unë kam vazhduar të jem po njësoj.