Rikthimi i saj në muzikë pas një shkëputje të gjatë është pritur me shumë dashuri nga fansat e saj. Bëhet fjalë për Miriam Canin, artistja, e cila skenën e ka patur shtëpinë e saj që në fëmijëri.
Miriami, e cila momentalisht është e angazhuar në rolin e saj si trajnere e “The Voice Kids”, po korr një sukses të jashtëzakonshëm me dy projektet e saj të publikuara së fundmi, “Meteor” dhe “Dhurata”.
“Meteor”, e cila është bërë pjesë e klasifikimit prej 16 javësh, gjendet +36 pozicione më lartë, duke u renditur në vendin e 19-të. Në tekstin e kësaj kënge, Miriami e cila ka ardhur si një “Meteor” i vërtetë, ka treguar se ka luajtur shumë me kontrastet, gjithmonë brenda kontestit të dashurisë pasi dashuria gjithmonë është e çmendur.
Ndërsa bashkëpunimi i saj me Albanin, me të cilin ka ardhur me një dedikim të ëmbël për vajzën tyre, Ameli, është votuar dhe dëgjuar më shumë, duke u renditur në vendin e 7-të. Duket se fansat e dy artistëve të talentuar e gjejnë veten në tekstin e kësaj kënge, i cili ka fjalët më të bukura që mund t’i dedikohet fëmijes.
E gjendur mes këtyre sukseseve, Miriami vazhdon të shijojë eksperiencën e magjishme të “The Voice Kids”, e cila ka skuadrën më të komentuar në rrjetet sociale. Më 23 mars, startojnë netët “live” në “The Voice Kids” dhe bashkë me to edhe emocionet se kush do ia dalë.