E ftuar në një lidhje telefonike në emisionin “Lancio” me Erma Mici ka qenë artistja Vanesa Sono. Vanesa Sono, e rritur në Sarandë e tashmë rezidente në Londër, vazhdon studimet e larta në muzikë në shkollën “ICMP”. Ajo e ka nisur rrugëtimin e saj artistik me pjesëmarrjen në “Gjeniun e Vogël 6” ku u shpall fituese.
Vanesa ka qenë përfaqësuese e Shqipërisë në IFLC USA në moshën 15 vjeçare, dhe IFLC Australia një vit më vonë. Ajo ka qenë gjithashtu pjesë e grupeve pop/ indie në Angli. Vanesa ka qenë e ftuar në televizionin BBC për prezantimin e këngës “Slay me”. Në vitin 2022 ajo bëhet pjesëmarrëse në ”Kënga Magjike” me projektin ”Do të gjej”. Menjëherë pas kësaj eksperience, Vanesa konkurroi në Fest 61 me “Aroma jonë”. Momentalisht, ajo është pjesë e “The Top List” me këngën “Një Gotë” prej gati 10 javësh dhe ndodhet momentalisht në vendin e 30-të.
Duke qenë se gjatë fillimeve të saj ajo ka marrë pjesë në kompeticione të ndryshme, e pyetur nëse mund të ndante me dëgjuesit e Top Albania Radio disa çaste të veçanta, ajo u shpreh:
Në kompeticione ka gjithmonë mësime shumë të bukura që i mëson. Pavarësisht se ai moment mund të ketë vështirësi, me kalimin e kohës e kupton që çdo hap të çon më pranë atij momenti që ti e dëshiron që është suksesi. Mua si këngëtare, si artiste, si kantautore, më ka rritur çdo vështirësi që unë kam kaluar. Kështu që momentet e vështira realisht i mbaj në zemër më shumë se ato të bukurat, se më kanë rritur shumë dhe mezi pres të kaloj më shumë momente të vështira.
Projekti i saj më i fundit është “Një Gotë” dhe siç e lartpërmendëm është pozicionuar shumë mirë edhe nga votat e publikut në “The Top List”. Si ndihet ajo për këtë sukses?
Më bën të ndihem shumë mirë. Unë, siç e thashë, çdo këngë timen mundohem ta bëj sa më autentike, sa më të sinqertë dhe të përfshi sa më shumë copëza të vetes sime aty dhe më bëhet shumë qejfi kur e shoh që njerëzit e pëlqejnë melodinë dhe fjalët e shpirtit tim. Kështu që më japin më tepër kurajo që unë të vazhdoj të prodhoj muzikë.