E ftuar në “Live from Tirana” ishte këngëtarja dhe ish-konkurentja e “The Voice Kids” Vivian Biagioni për të folur rreth këngës së fundit të saj “As unë as ti” dhe jo vetëm.
Si lindi kënga e re “As unë as ti”?
Unë shkruaj dhe bëj muzikën time vetë, por për “As unë as ti” kam pasur një bashkëpunim me producentin derisa arritëm në një përfundim të kënaqshëm. Për sa i përket frymëzimit, është shumë e thjeshtë, më shumë kam historitë e të tjerëve, çfarë më thonë miqtë dhe mikeshat e mia. Më vjen një shok ose shoqe dhe më thotë çfarë ka ndodhur, unë e shënoj atë çfarë thotë dhe shkruaj tekstin e këngës. Megjithatë, e krijoj tekstin në një mënyrë që përgjithëson shumë njerëz dhe situata, jo të fokusuar në diçka specifike.
Vivian nuk është thjesht një këngëtare e talentuar, por gjithashtu një studente për mjekësi. Si e gjen balancën mes të dyjave?
Jam në vit të tretë dhe po vazhdoj studimet për mjekësi. E zgjodha atë sepse kam besuar gjithmonë tek vetja dhe jam mësuar të bëj gjëra të vështira. E kisha me dy mendje në fillim prej lodhjes së madhe, por ka gjëra që mund të bësh për të balancuar muzikën dhe mjekësinë.
Çdo artist ka të tjerë që e kanë frymëzuar rrugën e tyre, këta janë disa të Vivian:
Kanë qenë disa artistë që më kanë frymëzuar. Do të thoja se më e rëndësishmja është Rihanna. Këndova “Stay” në finalen e festivalit ‘Tour Music Fest’, performanca e së cilës më dha çmimin e madh të kompeticionit. Nuk do ta harroj kurrë atë moment, është shumë i rëndësishëm për mua. Demi Lovato është gjithashtu një ikonë e imja dhe këngën e saj “Confident” e performova në ‘The Voice Kids’, ishte një eksperiencë e paharrueshme. Së fundmi, “Tattoo” të Loreen ka qenë një performancë e një konkurrenteje që më la shumë përshtypje.
Me cilët artistë do të donte Vivian të bënte një bashkëpunim?
Demi Lovato për sa i përket të huajve, do të ishte një ëndërr e bërë realitet. Kurse për ata shqiptarë, do të thoja Alban Skënderaj.