Grof është një nga artistët më të rinj që i bashkohet këtë javë “The Top List”. Me një karrierë të nisur që herët, por me shumë vështirësi, ai ia ka arritur që të ketë sukses në tregun muzikor shqiptar.
Grof ka lindur në qytetin e Prizrenit. Shkollën fillore dhe të mesmen e ka mbaruar në vendlindje, teksa është diplomuar në Prishtinë në degën “mass media production”. Hapat e parë të muzikës i nisi që në moshën 14-vjeçare fillimisht si producent dhe pjesë e disa albumeve të reperave në zë në atë kohë, që janë prezent akoma në skenën shqiptare dhe sot.
Kur ishte ende adoleshent, ka qenë pjesëmarrës në disa festivale dhe kompeticione të kohës të bazuara vetem në hip hop. Besnikëria ndaj stilit origjinal, i hapi dyert e shumë studiove dhe interesit të tyre për të punuar së bashku. Në moshën 19-vjeçare, Grof u ftua nga grupi OTR për t’u bërë pjesë e grupit ku aty shënon dhe rritjen e emrit të tij. Prej 8 vitesh tanimë vazhdon të jetë pjesë e këtij grupi.
Në atë kohë vendosin të bashkojnë fuqitë, producenti Dual Vox dhe Grof dhe fillojnë punimet e këngëve të reja në Prizren. Por Grof pati një karrierë me shumë probleme. Pas një aksidenti ishte e pamundur për të qenë aktiv për një kohë të gjatë nga arsyeja e pamundësisë për të lëvizur disa kohë. Pas rikuperimit vazhdojnë aktivitetet në muzikë dhe këngë të reja, po ashtu dhe publikimi i albumit të parë dhe të vetëm “MVP”, album i cili përmban 10 këngë.
Për pak kohë detyrohet të shtrihet prapë për një ndërhyrje tjetër më shumë serioze se e para. Problemi me telat e zërit që çoi deri në atë pikë që rreziku ishte për të humbur zërin përgjithmonë, bëri që të ketë edhe një pauzë tjetër më të gjatë se e para. Pas kësaj aj prapë vazhdoi aktivitetin muzikor me këngë të reja. Ndër këngët më të njohura të Grof përmendim “Gunna”, “Aladin”, “Koha”, “E prishe”. Bashkëpunimi me Varrosin dhe Lyrical Son, “Besa Besë”, e sjell atë për herë të parë në “The Top List”, Top Awards.