Shqipëria, me këngëtaren Ronela Hajati hapi të martën e kaluar mbrëmjen e parë gjysmëfinale të Eurovizion 2022. Me energjinë e saj, potencën vokale dhe ritmet e këngës “Sekret”, Ronela Hajati ndezi skenën, por kjo nuk ishte e mjaftueshme që ajo të merrte votat e publikut për të shkuar në finale.
Duartrokitjet e publikut në sallë ishin të shumta, megjithatë ato nuk ndikuan për të shtuar votat për këngën shqiptare. E teksa shpesh këngëtarja është kritikuar në rrjete sociale lidhur me këngën dhe performancën e saj, por sërish “Sekret” vazhdon të jetë shumë e klikuar dhe kënga të dëgjohet kudo pavarësisht komenteve.
Ronela, nga ana tjetër, ka arritur të bëjë për vete shumë njerëz që e kanë mbështetur vazhdimisht edhe online dhe që së fundmi janë shprehur të zhgënjyer për moskualifikimin e saj. Videoja e performancës së saj numëroi mbi 840 mijë klikime pa kaluar ende 24 orë nga performanca e saj në gjysmëfinale, duke u renditur kështu videoja e dytë më e klikuar nga pas asaj të Ukrainës.
Së fundmi, përfaqësuesja e Spanjës në Eurovizion, Chanel Terrero ka përshëndetur Ronelën gjatë një interviste. Terrero, e cila përfundoi e treta në renditjen finale pati një marrëdhënie mjaft të mirë me Ronelën pasi vajzat u panë shpesh në shoqërinë e njëra-tjetrës gjatë ditëve të Eurovizionit. Sapo Chanel ka përmenduar Ronelën i gjithë publiku ka nisur të thërrasë emrin e saj duke treguar dhe njëherë mbështetjen për të.
Ronela e ka postuar këtë moment në llogarinë e saj në Instagram duke u shprehur mjaft e emocionuar. Ajo e shoqëroi këtë video me fjalët:
Chanel Terrero, ti fitove zemrën time dhe Eurovizionin për mua. Më mungon kaq shumë saqë qava si një fëmijë kur e pashë! Emisionet në Shqipëri janë shumë larg këtij për nga energjia që kanë transmetuar, por me rëndesi shëndeti!