Vera e kaluar ka qënë tepër e suksesshme për Majk, i cili së bashku me Ghetto Geasy sollën “Sjena mo”. Kjo verë u pasua me një tjetër sukses, ky dyshja vendosi të bashkëpunojë serish, duke sjellë këngën “Ajo”, e cila prej 11 javësh vazhdon të jetë pjesë e “The Top List”, duke u pozicionuar në vende të favorshme të klasifikimit.
Ndërkohë që shumica e artistëve kanë vendosur të relaksohen pas një vere të ngarkuar me projekte të reja dhe koncerte, Majk ka menduar të veprojë ndryshe. Përmes disa postimeve të bëra në rrjetet sociale, këngëtari ka lajmëruar të gjithë ndjekësit e tij se sonte në mbrëmje ai do të publikojë projektin e tij më të ri muzikor të titulluar “Kcen”.
Ai gjithashtu ka publikuar një pjesë të videoklipit që do të shoqërojë këtë këngë e cila pritet të dalë në kanalin e “Youtube” rreth orës 19:00 të pasditës së sotme. Nëse kjo këngë do të jetë pjesë e Top Listës, kjo mbetet për t’u parë të dielën në mesditë, në klasifikimin zyrtar të “The Top List”.